Berisha firmos me Cekën e Starovën, rikonfirmohet koalicioni i gjerë për zgjedhjet e 28 qershorit

Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë nënshkroi sot pasdite marrëveshjen elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit me Kryetarin e Partisë Aleanca Demokratike, zotin Neritan Ceka. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kryeministri Berisha u shpreh: "Gjithçka mund ta shpreh në një frazë: bashkë e nisëm, bashkë po e vazhdojmë. E konsideroj këtë një ditë shumë të rëndësishme, ku së bashku me zotin Ceka për shkak të vlerave të mëdha programore që na bashkojnë, për shkak të trashëgimnisë së pashlyer që ne kemi ,në momentet më të rëndësishme të pluralizmit, të vizionit të përbashkët që ndajmë, ne firmosim këtë marrëveshje për të cilën Partia Demokratike ndjehet shumë e kënaqur, ndjehet vërtetë shumë optimiste. Me këtë marrëveshje këto dy parti vendosin të funksionojnë në një koalicion të plotë, të fitojnë zgjedhjet, të qeverisin dhe të jenë së bashku, të jenë një parti. Kjo është një formë koalicioni pothuajse e përsosur, do ta quaja. Kam kënaqësi shumë që e arritëm këtë moment shumë të rëndësishëm për të dy forcat politike. I garantoj të gjithë anëtarët e Aleancës Demokratike se në bashkëpunimin me ata, Partia Demokratike sheh një perspektivë reale si të fitores ashtu edhe një qeverisje të mandatit të dytë plotësisht të suksesshme. Sepse zoti Ceka i bashkojmë votat, i bashkojmë qëllimet, por bashkojmë edhe kualitetet të cilat janë shumë të rëndësishme.Nuk mund të mohohet se kualitetet njerëzore janë jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin. Ju faleminderit shumë!". Në fjalën e tij Kryetari i Aleances Demokratike Neritan Ceka vlerësoi se marrëveshja elektorale PDSH -PAD do t’i japë më shumë vlera koalicionit të së djathtës: "Kanë qenë 4 vite të menaxhimit më të mirë që ka pasur ndonjëherë ekonomia shqiptare, të ndërtimit të institucioneve demokratike më të qëndrueshme dhe të imazhit më të mirë që ka Shqipëria edhe në sferën ndërkombëtare"- tha z. Ceka. 15 minuta më vonë, Kryeministri Sali Berisha nënshkroi marrëveshjen elektorale PDSH-PBLD me Kryetarin e Partisë Bashkimi Liberal Demokrat z. Arjan Starova. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Kryeministri Berisha u shpreh: "Është një moment shumë i veçantë, në të cilin unë me shumë mirënjohje, dua të falenderoj aleatin tonë të hershëm për të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur, bashkëpunim i cili me marrëveshjen që firmosim përcakton horizonte të reja, përcakton fitoren e ardhshme në zgjedhjet e 28 qershorit si dhe qeverisjen e përbashkët në mandatin e dytë dhe në vazhdim. Ky koalicion është koalicion vlerash. Bashkohemi për të mbrojtur të njëjtat vlera që u besojmë dhe që ndajmë. Bashkohemi për të zbatuar të njëjtat projekte, për të cilat kemi besimin më të plotë se janë projektet më të mira për Shqipërinë, për shqiptarët, për fëmijët tanë, për gjeneratat që do të vijnë. Bashkohemi me qëllimin më të mirë që në reformat më të thella të përmirësojmë jetën e qytetarëve shqiptarë. Edhe njeherë zoti Starova faleminderit shumë!"
...