E Diel, 1 Nëntor 2026

UEFA, akuza ndaj Çelsit

04/03/2005  Klubi londinez mund të përballet me dy masa të rënda disiplinore

Autoritetet e UEFA-s kanë konfirmuar se Çelsi do të përballet me një masë të dyfishtë disiplinore, si pasojë e incidentit të krijuar në sfidën e Ligës së Kampioneve, kundër Barcelonës, në “Kamp Nou”. Klubi i Çelsit tashmë vazhdon të jetë duke përgatitur një raport të plotë zyrtar që do t’i dorëzohet bordit drejtues të UEFA-s, lidhur me bisedimet e trajnerit të Barcelonës, Frenk Rajkard, me gjyqtarin suedez, Anders Frisk. Ndërkohë, UEFA ka filluar një proces hetimor për të marrë masa disiplinore kundrejt klubit të Çelsit në dy drejtime. Krerët e organizmit më të lartë drejtues në futbollin evropian kanë mbetur të pakënaqur, nga ardhja me vonesë e skuadrës londineze në fushën e blertë, pas intervalit të pjesës së parë, si dhe me vendimin e trajnerit Hoze Murinjo, për të bojkotuar konferencën e shtypit pas takimit. Kështu, një zëdhënës i UEFA-s, në lidhje me këtë çështje ka deklaruar: “Ne kemi hapur një dosje disiplinore kundrejt Çelsit, lidhur me ardhjen e vonuar nga dhomat e zhveshjes në fushën e blertë, pas intervalit të pjesës së parë. Përveç kësaj nuk mund të lëmë pa përmendur, edhe mungesën e pjesëmarrjes së trajnerit në konferencën për shtyp, pas përfundimit të takimit. Ne kemi njoftuar përfaqësuesit e klubit se kjo çështje do të shqyrtohet në datën 24 mars. Ndërkohë, ne presim edhe dërgimin e një deklarate nga ana e tyre”. Sigurisht, përpara se të vendoset, nëse do të ndëshkohen realisht fituesit e Kupës Karling, autoritetet e UEFA-s do të analizojnë gjithë provat e disponueshme për këtë çështje. Në këto prova do të përfshihen raporti i vetë gjyqtarit Frisk, mbi zhvillimin e takimit, pamjet filmike, raportimi i të deleguarve të UEFA-s, si dhe deklaratat e përgatitura nga klubi londinez dhe lojtarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›