Emerson: Juve dua trofe!
04/03/2005 Dy ditë nga ndeshja e madhe midis Romës e Juventusit, vazhdojnë deklaratat e protagonistëve të këtij “derbi”. Natyrisht, ato që ngjallin më interes vijnë nga ish-ët e Romës, ose “tradhtarët” e famshëm, të cilët kaluan te Juventusi verën e kaluar. Njëri prej tyre, braziliani Emerson, “driblon” polemikat rreth transferimit të tij te Juventusi, gjë që e bëri armikun e betuar të një tifozerie, ecila e adhuronte një herë e një kohë. Mesfushori i fuqushëm bardhezi mendon vetëm për ndeshjen që do të luhet në fushë, të cilën e konsideron një “etapë” të rëndësishme drejt objektivave ambiciozë, që në kohën kur luante te Roma, nuk mundi t’i arrinte. “Nuk është se deri tani kam fituar shumë, ndaj është e qartë që nuk dua të lëshoj në asnjërin front: dua të fitoj si titullin, ashtu edhe Ligën e Kampioneve. Natyrisht, të bëhesh Kampion i Europës është më e vështirë, sepse kundërshtarët janë më të fuqishëm. Por edhe në kampionat, lufta do të vazhdojë deri në javën e fundit. Kur fituam titullin me Romën, kishim një avantazh të madh pikësh, por në fund mbërritëm vetëm një pikë para Juventusit”, deklaron Emerson, për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”. Siç e përcakton dhe vetë braziliani, qëndrimi i tij është prej profesionisti të vërtetë. Nuk ka kohë dhe as dëshirë të mendojë për atmosferën “e nxehtë” që e rrethon këtë ndeshje, të ishëve të mëdhenj, sepse përveç brazilianit, të shtunën në “Olimpiko” do të jetë edhe Fabio Kapelo, trajneri që e bëri Romën të madhe dhe që iku nga Roma natën, sipas versionit të tifozerisë romaniste. “Në fakt, e pranoj që klima e ndeshjes është pak më e trazuar se normalisht. Por faji është i të gjithëve, duke filluar nga ne lojtarët. E kam fjalën për mungesën e bashkëpunimit me arbitrat, gjë që sjell acarime në fushë dhe jashtë saj. Natyrisht, kjo sjell dhe acarimin e tifozerisë, e cila ndjen tensionin që ekziston në fushë. Këtu në Itali, çdo ndërhyrje e gabuar bëhet një çështje për t’u çuar në gjyq, është pikërisht kjo gjë që i irriton tifozët dhe pastaj ndodhin gjëra të papëlqyeshme. Në vende të tjera, për shembull në Angli, situata është krejt ndryshe”, përfundon deklaratën e tij mesfushori i Juventusit.