E Diel, 1 Nëntor 2026

Toldo e Rekoba, pranë largimit

04/03/2005  Në qershor, merkatoja zikaltër mund të shënojë zhvillime të rëndësishme, sidomos përsa u përket largimeve. Bëhet fjalë për portierin Toldo e sulmuesin Rekoba, të cilët nuk po kalojnë një moment të mirë përsa i përket karrierës së tyre. Toldo nuk është prej kohësh në planet e trajnerit Mançini, i cili edhe më parë e ka zëvendësuar me uruguajanin Karini e veteranin Fontana, ndërkohë që në fund të sezonit do të vijë braziliani Hulio Sezar, aktualisht në formë huaje te Kievo, por mund të vijë edhe francezi Sebastian Frei, aktualisht te Parma. Për Françesko Toldon, ka një blerës: është Mançester Junajtid, gjigandi anglez që ka telashe të mëdha me portierët, siç tregoi edhe ndeshja kundër Milanit, ku vendosi një gafë e portierit anglez Kerol. Të dielën e kaluar, drejtuesit e Mançesterit ishin në “San Siro”, me një mision të dyfishtë: nga njëra anë, të “spiunohej” Milani, dhe nga ana tjetër, t’i hidhej një sy portierit zikaltër. Pastaj është Rekoba, “premtimi” i papërmbushur asnjëherë për Interin. Për një largim të tij flitej që në janar, por Sampdoria hezitoi dhe Fiorentina zgjodhi bullgarin Bojinov, ndaj qëndrimi në zikaltër për uruguajanin u zgjat. Mançini, jo rrallë ka lënë të kuptohet se nuk e preferon “El Chino”-n, duke e lënë pothuajse gjithmonë në stol, pas Adrianos, Martins e Vierit dhe tashmë flitet për një interesim të Arsenalit, që kërkon elemente të rinj për të filluar rindërtimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›