E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ronaldinjo i lodhur me barazimet

04/03/2005  Ronaldinjo ka kërkuar nga shokët e tij të jenë sa më të qetë, në prag të ndeshjes së kthimit në Ligën e Kampioneve, me anglezët e Çelsit. Për herë të parë gjatë këtij sezoni, kryesuesit e Primera Division nuk kanë arritur të marrin asnjë fitore në dy ndeshje radhazi, pas barazimit me Numancian (javën e kaluar) dhe në derbin me Espanjolin. Këto rezultate bëjnë që Real Madridi të ngushtojë diferencën me kryesuesit dhe braziliani e di mirë se në ndeshjen përballë Osasunës dhe në takimin e kthimit në “Stamford Bridge”, katalanasit do të jenë nën presion të madh. “Ne duhet të jemi shumë të qetë dhe të vazhdojmë punën tonë, sepse përsëri jemi në avantazh në kampionat dhe për më tepër, mungojnë shumë ndeshje nga përfundimi i sezonit”- ka deklaruar lojtari më i mirë i këtij viti nga FIFA. “Ne kemi të njëjtin besim, si dhe më parë dhe po luftojmë për një vend në Ligën e Kampioneve, pra barazimet nuk janë diçka që na përshtaten. Ne kemi nevojë për të ndryshuar disa gjëra dhe duhet të vendosim nën presion kundërshtarët, që nga minuta e parë. Teorikisht, të gjitha skuadrat që vijnë në “Camp Nou”, vijnë për të mos humbur dhe jo, për të fituar. Prandaj, duhet të shënojmë sa më parë, në mënyrë që të gjitha skuadrat të fillojnë të sulmojnë”. Gjithashtu, për këtë ndeshje do të mungojnë Ludovik Zhuli. Problemet në kurriz për francezin, janë më serioze sesa parashikimet dhe ai do të jetë i detyruar të qëndrojë larg fushave edhe për 10 ditë. Vendin e tij pritet që ta zërë Maksi Lopez, i cili tregoi një formë të shkëlqyer përballë Çelsit, duke shënuar një gol dhe duke dhënë asistin për Eto.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›