Blutë janë gati

04/03/2005 Tashmë përgatitja e bluve për ndeshjen e së dielës kundër Teutës ka hyrë në fazën finale të saj. Me sa duket, Canaj e ka konfiguruar më së mirë formacionin me të cilin do të zbresi në “Qemal Stafa”. Stërvitjen e sotme trajneri i bluve e ka filluar me analizën e pragndeshjes. Pas programit të zakonshëm stërvitor, dje është kryer edhe ndeshja e kontrollit, midis titullarëve dhe rezervave. Edhe në këtë ndeshje, Canaj, konfirmoi të njëjtin formacion, që ju bëmë të ditur një ditë më parë. Në këtë ndeshje stërvitore trajneri i bluve i dha më tepër përparësi eksperimentimeve në mesfushë. Ai provoi të njëtët lojtarë, në disa pozicione. Në fillim ndryshoi pozicionet e Poçit me Dhëmbin, duke e kaluar këtë të fundit në qendër të mesfushës dhe provoi Poçin në krahun e djathtë. Gjithashtu përsëri u provua skema me Tikon në vend të Fall, duke luajtur rolin e sulmuesit të tretë, që luan topin për dyshen sulmuese, e cila ka për të qenë Bushi-Gudjabi. Canaj i ka të gjithë lojtarët në dispozicion për ndeshjen e së dielës, me një dyshim të vogël për Likën. Sipas stafit mjekësor të Dinamos, portieri kryesor i bluve është përmirësuar ndjeshëm dhe ka gjasa që të luajë. Dje Lika përsëri ka kryer stërvitje të diferencuar, kryesisht përgatitje fizike palestër e vrap. Pozitive është, se me gjithë ndërrimin e trajnerëve, blutë nuk kanë humbur përqëndrimin, pasi Canaj e njihte mjaft mirë situatën duke bërë ndryshime vetëm në disa aspekte që atij i dukej se kishin nevojë për përmirësim. Kuptohet se Dinamo ka për të zbritur përsëri në fushë me një skemë mjaft sulmuese, pasi tri pikët janë objektivi i vetëm i kryeqytetasve në ndeshjen kundër durrsakëve.