E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA gati të investojë për rikonstruksionin e “Qemal Stafës”

TIRANë- Organizmi më i lartë i futbollit në Evropë, UEFA është e gatshme të ndihmojë Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Ministrinë e Turizmit Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në rikonstruksionin e stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Stadiumi aktualisht po qëndron i mbyllur nga drejtori Gazmend Sollaku, si pasojë e terrenit të dëmtuar nga reshjet dhe ndeshjet e javëve të fundit.

Ndonëse nuk ka një datë fikse, shpejt pritet të fillojë puna për rikonstruksionin tërësor të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Projekti është gati dhe sipas FSHF-së, ai do të financohet edhe me mbështetjen e fuqishme të FIFA-s dhe UEFA-s.

Këtë fakt e përforcoi më shumë dje zv/presidenti i UEFA-s dhe FIFA-s, spanjolli Angel Maria Villar Lorna, i cili mori pjesë në Asamblenë e federatës Shqiptare të Futbollit.

Sipas burimeve nga FSHF, në Tiranë ka qenë edhe shefi i projekteve të UEFA-s, Andreas Kuhn, i cili pasi ka vëzhguar gjendjen e stadiumit, ka shprehur mbështetjen e plotë financiare nga organi i futbollit europian për projektin e ri të stadiumit “Qemal Stafa”.

Ministri i Sporteve, Ferdinand Xhaferri tregoi dje edhe një herë gatishmerinë për të rikonstruktuar stadiumin “Qemal Stafa”, që pritet të ndodh brenda 6 mujorit të parë sivjet. Edhe Presidenti i FSHF-s Duka është shprehur i gatshëm për ta marrë plotësisht përsipër ndërtimin e një stadiumi të ri, por kërkon që shteti të sigurojë një terren jashtë Tiranës.

Projekti për rikonstruksionin e plotë të stadiumit kombëtar “Qema Stafa” pritet të kushtojë rreth 65 milionë euro.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›