E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA nuk do të hetojë Dinamo-Lion

U ngritën shumë dyshime pas fitores spektakolare 1-7 të francezëve në Kroaci, por për qeverinë europiane të futbollit, nuk ka asnjë prapaskenë në atë 90-minutësh që solli eliminimin e Ajaksit

Fitorja tenistike e dyshimtë e Olimpik Lionit përballë Dinamo Zagreb mendohej se do sillte reagimin e Qeverisë Europiane të Futbollit, UEFA. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe sipas asaj që shkruhet në faqen e saj zyrtare në internet, as nuk ka ndërmend të hapë hetime rreth kësaj. Fitorja 1-7 e francezëve dhe humbja 0-3 e Ajaksit përballë Real Madridit, solli kualifikimin e Lionit për në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve. Sipas asaj që njofton UEFA nuk ka arsye dhe fakte të forta që të mund të zhvillohet një hetim për mundësinë e trukimit të ndeshjes. “Deri tani nuk ka pasur asgjë të çuditshme dhe nuk kemi pse të nisim hetime”, shkruhet në komunikatë.. Në të njëjtin linjë me UEFA-n flet edhe presidenti i Olimpik Lionit, Zhan Mishel Ola, i cili për RTL theksoi se: "Në dritën e analizave që janë kryer deri tani, nuk është regjistruar asnjë lloj anomaliteti për sa i përket ndërhyrjeve që mund të kenë bërë kompani të ndryshme bastesh.” Ndërkohë, ekipi francez i Lionit ka publikuar në faqen e tij të internetit një komunikatë në përgjigje të një hetimi që ka nisur Autoriteti Francez i Rregullimit të Lojës. “E pranojmë nisjen e hetimit nga autoritetet franceze, por na vjen keq që fitorja jonë e madhe nuk po konsiderohet si një arritje”, lexohet në komunikatën e Olimpik Lionit. Edhe Dinamo Zagreb ka publikuar në faqen e internetit një komunikatë ku i konsideron “skandaloze, tendencioze dhe keqdashëse” zërat e një manipulimi të rezultatit të ndeshjes. Gjithashtu humbjen e konsideron të turpshme. Lion arriti të fitonte 1-7 në fushën e vështirë të Dinamo Zagreb duke kaluar në renditje falë golavarazhit holandezët e Ajaksit, të cilët u mundën 0-3 nga Real Madrid. Me këto rezultate janë francezët ata që kaluan në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve ndërsa Ajaks do të luajë në Europa League.

Por dyshimet janë. Gjithçka i referohet dy momenteve. I pari ka të bëjë me golin e pestë të shënuar nga Lioni. Kamerat kanë fiksuar edhe një moment interesant, kur një mbrojtës i Dinamos buzëqesh dhe i shkel syrin sulmuesit Bafatembi Gomis, që sapo kishte shënuar. Momenti i dytë që e bën më të dyshimtë kualifikimin e Lionit, është edhe fakti se Ajaksit ju mohuan dy gola të rregullt me Realin, ndërsa këta të fundit kanë sulmuar deri në minutën e fundit, duke shënuar tre gola. Ajaksi mund të ishte kualifikuar edhe me një humbje 2-0.

Shorti të premten në Nion

Në orën 12:00, siç është bërë tashmë traditë, në Nion të Zvicrës do të hidhet edhe shorti i fazës së 1/8-ave të Champions League. Skuadrat do të ndahen në dy grupe. Në grupin e parë do të jenë skuadrat e kualifikuara në vend të parë Bajern Mynih, Inter, Benfika, Real Madrid, Çelsi, Arsenal, Apoel dhe Barcelona. Në grupin e dytë janë skuadrat që u renditën të dytat: Napoli, CSKA, Bazel, Lion, Leverkusen, Marsejë, Zenit dhe Milan. Shorti ka të njëjtat rregulla. Në këtë fazë nuk lejohen vetëm përplasjet mes të njëjtit shtet dhe të dy skuadrave që kanë qenë më parë në të njëjtin grup. Shorti mund të na sjellë përplasje si Real-Milan, Napoli-Barcelona apo Bajern-Lion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›