Ndizet Spanja, të shtunën luhet klasikja: Real-Madrid Barcelona
Champions është lënë tashmë pas dhe vëmendja e gjithë botës së futbollit është përqendruar në Madrid, në stadiumin e shkëlqyer “Bernabeu”, ku dy skuadra të mrekullueshme do t’ia rrisin edhe më tej famën impiantit të famshëm madrilen.
Të shtunën, ora 22:00 luhet Real Madrid-Barcelona, supersfida e Spanjës dhe e gjithë botës dhe mesfushori i pazakontë Ksavi Hernandez, thotë se gjithçka nga ana e Barçës është gati. “Ne jemi shumë mirë. Jemi gati të përballemi me Realin apo këdo qoftë. Kam shumë respekt për Realin, pasi vjet luftoi deri në fund, ndonëse ne fituam shumicën e trofeve. Këtë vit është sërish shumë konkurrues. Sa për Mesin, ai është më i miri në botë dhe është ai që bën diferencën. Në ndeshje të tilla ai është shumë i motivuar dhe kjo e ndihmon shumë skuadrën”, thotë mesfushori i Barcelonës, Ksavi Hernandez. Ksavi është një pretendent për të fituar Topin e Artë, bashkë me Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon, ndonëse ai nuk është favorit. Dhe, numri 6 katalanas nuk e ka problem ta pohojë. “Jam shumë krenar që jam në garë për Topin e Artë, në 3 apo 4 vitet e fundit. Kjo do të mbetet në kujtesën time, ndonëse unë gjithnjë kam menduar thjesht të luaj futboll për të siguruar jetesën, për të qenë tek Barcelona dhe tek Spanja. Nuk ka qenë kurrë ëndrra ime të fitoj Topin e Artë”, u shpreh ai. Ksavi është mes dy spektakleve, “El Klasikos” dhe ceremonisë së “Topit të Artë”. Akti i parë do të luhet të shtunën, ndërsa i dyti më 8 maj në selinë e FIFA-s në Zyrih.
Krojf: Barça favorite
Ish-sulmuesi dhe trajneri i Barcelonës, holandezi Johan Krojf, beson se skuadra blaugrana do të zbresë në fushë me ide të qarta për të fituar supersfidën. Në një intervistë të dhënë pak ditë përpara “El Clasico”-s spanjolle, legjenda holandeze e Ajaksit dhe Barcelonës deklaron se kjo ndeshje nuk do të jetë vendimtare për fatet e sezonit. “Favoritët për të fituar? Unë mund të them se është Barcelona, pasi ata luajnë përherë për të fituar ndaj Realit të Madridit. Gjithsesi, këtë përgjigje do të na i japë e shtuna”, u shpreh Krojf në intervistën dhënë për të përditshmen madrilene “AS”.