E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA zyrtarizon 3 ndeshje dënim për Oton

Bled Kuka
Komisioni i Disiplinës i UEFA-s zyrtarizoi dje pezullimin prej 3 ndeshjesh të trajnerit të Shqipërisë, Oto Baric. Mediat kroate transmetuan gjerësisht lajmin duke theksuar se në raportin e UEFA-s shpjegohej se "Baric u soll në mënyrë të gabuar dhe e ofendoi gjyqtarin (austriak Shtuhlik) disa herë". Vetë Barici ka theksuar se "kam pasur probleme në të kaluarën me këtë gjyqtar dhe i thashë se ishte arrogant". Edhe gazetat kroate shkruanin se "Baric ka pasur edhe më herët takime të stuhishme me Shtuhlikun". Trajneri i Shqipërisë është ndaluar të drejtojë kombëtaren në 3 ndeshjet e ardhshme dhe të hyjë në dhomat e zhveshjes në pushim të ndeshjeve. Sidoqoftë, trajneri 75-vjecar ka të drejtë ankimimi me afat deri 3 ditë pas shpalljes së vendimit. Kjo është hera e dytë që Baric dënohet, pas gjobës prej 3 000 frangash zvicerane për shkak të shprehjeve lidhur me homoseksualët në prag të Kampionatit Europian 2004, kur ishte trajner i Kroacisë. Vecse pas atij dënimi, Barici nuk pati të drejtë të ankohej. Shqipëria, dëshira e paplotësuar e trajnerit së Bosnjës Trajneri i Bosnje-Hercegovinës, Fuat Muzuroviq, ka deklaruar se do ta donte fort një ndeshje miqësore me Shqipërinë. Në një intervistë dhënë disa kohë më parë, Muzuroviqi, pohonte se ishte marrë vesh me Oto Baricin për të zhvilluar një miqësore ndoshta në vitin 2007, por kjo nuk u realizua. "Kam folur me Baricin që e kam mik dhe e vlerësoj shumë lart si trajner, - shprehej Muzuroviqi, - dhe do ta doja një miqësore me Shqipërinë. Kjo sepse kam qenë lojtar i Bosnjes që luajti miqësoren e parë në historinë e saj, pikërisht ndaj Shqipërisë më 1995". Edhe te Hajduku i kursejnë paratë, në Shqipëri jo Hajduku i Splitit emëroi së fundi ish-legjendën Robert Jarni si trajner të skuadrës së parë. Media kroate njofton se paga mujore e lojtarit të dikurshëm të Hajdukut, Juventusit dhe Kroacisë nuk shkon më shumë se 4 000 euro në muaj, që do të thotë 5 herë më pak se ish-trajneri Sergio Kreshiq. Një kursim aspak i vogël për klubin e dytë më të pasur në Kroaci, pas Dinamos së Zagrebit, por kur krahason me Shqipërinë mbetesh gojëhapur. Në vendin tonë ka klube që kanë dhënë pagesa të përafërta si kjo e Jarnit, ndonëse të ardhurat nga futbolli janë shumë më të ulëta se në Kroaci.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›