Qyteti i Klosit prej një jave pa ujë të pijshëm
BURREL - Prej një jave në qytetin e Klosit, në rrethin e Matit, mungon uji i pijshëm. Më shumë se 1500 banorë janë të detyruar ta sigurojnë atë në puset private ose të shtegtojnë larg qytetit për të mbushur enët. Është krijuar një situatë mjaft e rëndë, për shkak të temperaturave të larta të këtyre ditëve dhe nevojave në rritje për ujë të pijshëm. Gratë mallkojnë pa adresë, ndërsa burrat janë të detyruar të paguajnë mjete të ndryshme transporti për t’u sjellë ujin. Ndërkohë ngado dallon njerëz me arsenal enësh të ndryshme teksa vihen në kërkim të ujit. Për të siguruar ujë për larje, zbresin në lumin e Matit, por të shumtët kthehen edhe prej andej sepse lumi aktualisht është i pistë, për shkak të mbetjeve të shumta që hidhen në të dhe rivënies në punë të një fabrike përpunimi të kromit në Krastë të Martaneshit. Vit pas viti në këtë qytet mungon uji i pijshëm. Vendorët premtojnë ndërtimin e një ujësjellësi tjetër, duke argumentuar se burimi aktual nuk mjafton, ndërkohë qytetarët thonë se uji nuk menaxhohet si duhet asnjëherë, veçanërisht në stinën e verës. h. p.