OSCE ndau sot çertifikatat e para të projektit “Pjesëmarrja e gruas në politikë”

Në takim mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi
Me përfundimin e fazës së parë të projektit "Rritja e rolit të gruas në qeverisje 2009-2011", Zyra e Prezencës në Shqipëri të Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim Evropian në Evropë (OSBE) u shpërndau sot në Tiranë, çertifikatat e para pjesëmarrëseve në këtë trajnim. Presidenti i Republikës Bamir Topi, i ftuar në këtë takim, tha se," Vitet e fundit ka pasur një përshpejtim të nismave të marrjes në konsideratë të pjesëmarrjes së zonjave në politikë.Nuk e kam fjalën këtu thjesht për shifrën 30%, por për një lloj motivimi dhe vullneti politik, në përgjithësi të të gjitha forcave parlamentare, për të rënë dakord për dy ligje shumë të rëndësishme, së pari për ligjin që ka të bëjë me barazinë gjinore, së dyti për pjesëmarrjen e zonjave në listat zgjedhore". Më pas presidenti Topi vuri në dukje se projektet e shumta, të orientuara drejt barazisë gjinore dhe promovimit të grave në politikë, kanë dhënë rezultate të atilla, sidomos në rritjen e cilësisë së përfaqësimit politik të tyre, sa ndoshta do të ishte e nevojshme të merreshin parasysh projekte të ngjashme për burrat në këtë drejtim. "Ata që janë në vendimmarrje," u shpreh ai, duhet "që ta marrin në konsideratë se me kalimin e viteve, cilësia tek zonjat është rritur më shumë se sa tek burrat." Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh në fjalën e tij tha se "Përmirësimi cilësor i boshllëkut aktual të përfaqësimit gjinor në të gjitha qeverisjet dhe në struktura më të gjera është një çështje e rëndësishme. Mbushja e këtij boshllëku mbetet një çështje për të cilën të gjithë ne kemi përgjegjësi të asistojmë. Brenda 12 ditësh ky vend do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare, të cilat do të kenë nënkuptime direkte e afatgjata në ambiciet e ardhshme për integrim të Shqipërisë," vazhdoi ai. Pjesëmarrja e grave në proceset zgjedhore dhe rritja e numrit të tyre në politikë janë faktorë të rëndësishëm për hartimin e strategjive të zhvillimit kombëtar, për përmirësimin e cilësisë së qeverisjes, për forcimin e shtetit të së drejtës, u shpreh ambasadori Bosh. Në përfundim të takimit, u shpërndanë një numër çertifikatash për pjesëmarrëset në trajnimin e realizuar në kuadër të projektit "Rritja e rolit të gruas në qeverisje 2009-2011". Projekti, faza e parë e të cilit përfundoi sot, është financuar nga qeveria hollandeze dhe ajo suedeze dhe është zbatuar nga “Partners Albania”, një organizatë jofitimprurëse. Në këtë projekt morën pjesë 50 gra nga i gjithë vendi, ndër të cilat edhe kandidate që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Në ceremoninë të diplomimit ishin të pranishëm edhe ambasadori hollandez, Henk G. C. van den Dol, e ngarkuara me punë e ambasadës suedeze, Elisabet Stam, drejtues të projektit si dhe përfaqësuese të shoqërisë civile.