E Diel, 1 Nëntor 2026

“Politika nuk është gogoli i madh që tremb shoqërinë”

Autori i Lajmit: red.
Gjykata e Lartë nuk është në krizë, edhe pse asaj i mungojnë 7 anëtarë. Ky pohim vjen nga ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibeaj. Sipas tij, debati për këtë çështje është më tepër një krizë e procedurave parlamentare. Në një intervistë për TCH ai pohon se debati është thjesht një proces politik mes Presidentit dhe Kuvendit dhe politika nuk duhet të shihet si gogol.

Zoti Ministër, media dhe një pjesë e politikës i referohen çështjes së Gjykatës së Lartë si një krizë politike ?
Jo, nuk është një krizë politike. Mund të jetë deri diku një lloj krize parlamentare, më saktë një lloj krize e procedurave parlamentare, të cilat do të duhet të sqarohen dhe duhet të detajohen. Vetëm në këtë mënyrë mund të konsiderohet një krizë e kapërcyer.

Megjithatë vonesa po sjell bllokimin e Gjykatës së Lartë. Atje po zhvillohet jo më shumë se një proces në ditë, ndërkohë që duhet të kishte një kalendar të ndryshëm në rast se do t i kishim të gjithë anëtarët e Gjykatës.
Nuk besoj se ka një problem të tillë, të themi vonese apo jo. Duhet të kemi parasysh që Gjykata e Lartë gjykon dy ditë në javë (ju sjell ca fakte, thjesht vetëm për kronikë.) Mund të them edhe një gjë tjetër që Gjykata e Lartë gjykon në një mënyrë të tillë jo mbi zgjidhjen e konflikteve të palëve, gjykon vetëm mbi ligjin. Gjykon në mënyrën se si Gjykata e Apelit ka zgjidhur konfliktin mes palëve me një vendim të formës së prerë. Vetëm se Gjykata e Lartë nuk ka asnjë një lloj marrëdhënieje, të themi të drejtpërdrejtë, me individët, por me një gjykatë më të ulët, që do të thotë që kjo Gjykatë e Lartë nuk përcakton fatin e çështjes. Do të thotë nuk ka një impakt të drejtpërdrejtë mbi palët.
Unë do të kisha një ide dhe mendim paksa të ndryshëm. Jemi në një proces të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sigurisht, mund të ketë edhe efekte anësore, një i tillë mund të jetë edhe ky që sapo thatë pak më parë. Në fakt, çështja duhet parë në thelb dhe duhet parë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Na intereson të kemi një proces përzgjedhës cilësor, i cili do të ketë edhe këto efekte anësore të veta. Por më mirë të bëjmë përzgjedhjen e duhur cilësore, ta shndërrojmë Gjykatën e Lartë në një gjykatë të vërtetë që gjykon në mënyrë efektive, objektive dhe që është pika e referimit të sistemit gjyqësor dhe të pranojmë edhe këto efekte minimaliste anësore.
Zoti Ministër, nuk jeni deputet dhe nuk doja që t ju vija në një pozitë kritike kundrejt Parlamentit, por votimi a nuk ishte një djegie e pesë kandidaturave apriori, d.m.th këto pesë kandidatura a nuk ishin cilësore?
Duhet sigurisht një përzgjedhje cilësore, një përzgjedhje cilësore që duhet bërë gjithmonë me një proces. Në një përzgjedhje cilësore, ku askush nuk ka domenin apo spektrin e së vërtetës. Askush mbi këtë botë. Do të jetë vetëm një proces publik, transparent, i cili në mënyrë të domosdoshme të çon në zgjedhjen cilësore. Publiku është vlerësuesi i fundit, jo vetëm i deputetëve, por edhe i gjyqtarëve. A është djegie ? Jo nuk është djegie. Nuk duhet ta konsiderojmë si një marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis Kuvendit dhe pesë individëve aspirantë për anëtarë të Gjykatës së Lartë. JO! Ajo çka duhet të përfitojmë nuk janë pesë individë që do të aspirojnë për anëtarë të Gjykatës së Lartë, por tradita parlamentare që duhet të krijojmë. Duhet të krijojmë një traditë të tillë. Një memorie të tillë institucionale që vetëm nëpërmjet proceseve të tilla skanuese, të të gjithë integritetit moral dhe profesional të gjithë përzgjedhjeve në organet kushtetuese, vetëm kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Cilësia do të ishte e garantuar vetëm nëpërmjet këtij filtri.
Vlerësimi juaj për procesin që ka filluar me një grup të asistencës juridike siç e ka cilësuar edhe vetë Presidenca.
Besoj se është një hap i parë pozitiv. Është pozitiv, sepse, në qoftë se do të realizohet çfarëlloj procesi është, unë besoj do të mbërrinim në një lloj logjike fare të thjesht është më tepër një proces juridik se sa politik. Tek anëtarët që do të duhet të zgjidhen në Gjykatë të Lartë apo edhe në Gjykatë Kushtetuese( është rregullim i njëjtë kushtetues )duhet të mbizotërojnë kriteret ligjore. Dhe besoj më mirë sesa juristët, më drejt çështjen nuk mund ta zgjidhë askush tjetër. Por unë besoj që është e pjesshme. Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese në mendimin e saj ka thënë se konsultimet duhet të ndodhin, midis këtyre dy organeve: Presidencës dhe Parlamentit. Sigurisht që asnjeri nuk ka dhe nuk pretendohet që të ketë aftësinë për të marrë informacionin e plotë dhe të duhur mbi aftësitë profesionale dhe integritetin moral. Grupet këshillimore prej juristësh ose të predominuar nga juristë kanë aftësinë dhe kanë mundësinë të bëjnë diçka vërtet pozitive. Të përcaktojnë kritere vlerësuese, objektive, të qarta, të detajuara.
Bllokimi i Gjykatës së Lartë, pse nuk është politike sipas jush ?
Është procedurë e pastër parlamentare. Është duke u zbatuar në mënyrë rigoroze ajo çka Kushtetuta parashikon, që do të thotë një dialog dialektik mes Presidencës dhe Kuvendit. Janë që të dy organe kushtetuese që kanë gjithmonë një sfumaturë diku më tepër e diku më pak politike. Kushtetuta e ka bërë këtë zgjedhje. Nuk mundet askush ta qortojë Kushtetutën për këtë lloj zgjedhjeje. Vetëm një proces i tillë politik ( mes Presidencës dhe Kuvendit) do të mund të japë një përzgjedhje të saktë objektive, juridike mbi karakteret që do të zgjidhen për në Gjykatën e Lartë dhe këtu nuk kemi të bëjmë aspak me ndërhyrje të politikës. Në fund të fundit ne duhet të mësojmë diçka që është thelbësore. Politika nuk do të jetë të themi ai gogoli i madh që do të trembë shoqërinë. Duhet të kuptojmë se një proces politik do të jetë ai nga i cili do të iniciohet dhe të fillojë çdo iniciativë reformuese, qoftë edhe kjo mbi Gjykatën e Lartë. Unë ju kujtoj diçka të thjeshtë për të thënë që nuk ka aspak ndërhyrje të politikës në sistemet e tjera apolitike, procesi i Reformës në Drejtësi, procesi që filloi dhe përfundoi në Parlament, në organin që është politik dhe që ka nxjerrë një produkt tepër pozitiv që është një ligj politik, pasi ka marrë perceptimin dhe ndjesinë politike gjithashtu dhe që ka nxjerrë një produkt tepër profesional. Dhe sigurisht, që ju i referoheni një lloj bllokimi të Gjykatës së Lartë. Nuk ka bllokim të Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë funksionon. Nuk funksionon me ritmet që do të kishte të themi, me kapacitetin e plotë prej 17 gjyqtarësh, por unë ju kujtoj edhe faktin tjetër që ka më se një vit që ky kapacitet i plotë nuk ekziston në Gjykatën e Lartë. Ka pasur mungesa të dy ose tre anëtarëve që u ka mbaruar kohë më parë mandati. Nuk është proces politik, i cili të ndërhyjë në apoliticitetin e Gjykatës së Lartë. JO! Gjykata e Lartë do të përzgjidhet nga një moment politik dhe këtë zgjedhje e ka bërë Kushtetuta. E ka bërë që në momentin e parë kur thotë se kjo republikë, në të cilën jetojmë, është Republikë Parlamentare,
e cila bazohet në zgjedhje të lira, midis flukseve politike dhe, për sa kohë do t u qëndrojë besnike këtyre parashikimeve të Kushtetutës, nuk kemi asnjë të drejtë, askush nga ne, të qortojë këtë lloj lidhjeje të sovranit. Sovrani do të jetë ai që do të vendosë.

Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›