E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, gjyqi politik, ministri Basha fiton betejën me Prokurorinë e Përgjithshme



Gjykata e Lartë pushon çështjen për Durrës-Kukës-Prishtinë

Relatori Spiro Spiro argumenton paaftësinë e prokurorëve në zbatimin e ligjit, si dhe shkeljet konstante ndaj deputetit Basha dhe drejtorit Toma, duke u shprehur se “aktivizimi i Gjykatës së Lartë nga prokurorët, formal”. Gjyqtari akuzon prokurorët se kanë shkelur të drejtën kushtetuese të Bashës për t’u njohur me akuzat që i janë drejtuar

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, fiton betejën me Prokurorinë e Përgjithshme, duke gjunjëzuar në këtë mënyrë akuzatorët 2-vjeçarë të tij. Vendim i Kolegjit Penal u dha fund përpjekjeve 2-vjeçare për përbaltje të figurës së tij si ministër, por edhe përbaltjes së investimit për projektin e madh të rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë, një investim i madh i vënë në shënjestër të sulmeve politike të opozitës dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Dje, ky gjyq politik mori fund, duke i dhënë fund siç u shpreh edhe vetë ministri Basha “komplotit ndaj aksit Rrëshen-Kalimash. Sot është dita e vajtimit të komplotistëve kundër rrugës Durrës-Kukës”, por duke shënjuar edhe dështimin e radhës së organit qendror të akuzës. Vendimi i Kolegjit Penal është i formës së prerë, ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme u akuzua nga gjyqtarët se ka shkelur jo vetëm ligjet, por edhe Kushtetutën në çështjen ndaj ministrit Basha. Relatori Spiro Spiro argumenton paaftësinë e prokurorëve në zbatimin e ligjit, si dhe shkeljet konstante ndaj deputetit Basha dhe drejtorit Toma, duke u shprehur se “aktivizimi i Gjykatës së Lartë nga prokurorët, formal”. Sipas gjyqtarëve, ministri nuk ka qenë asnjëherë i pandehur, por vetëm person nën hetim, dhe çdo veprim i kryer nga organi i akuzës ndaj tij ka qenë nul. Madje, edhe dërgimi i dosjes në gjykatë për ministrin Basha dhe drejtorin Toma, si dhe vënia në lëvizje e gjykatës, u konsiderua një veprim formal nga ana e organit qendror të akuzës. Vendimi është marrë dje nga Kolegji Penal, i cili argumentoi se veprimet e kryera nga Prokuroria e Përgjithshme ndaj ministrit Basha dhe drejtorit të Rrugëve, Andi Toma, janë absolutisht të pavlefshme. Sipas gjyqtarit Spiro Spiro, të gjitha veprimet hetimore të kryera nga prokurorët pas përfundimit të afatit ligjor që ishte data 6 nëntor 2008 janë nul. Kolegji Penal e pushoi gjykimin me vendim të formës së prerë, duke e konsideruar dërgimin e kërkesës për gjykim në Gjykatën e Lartë pavlefshmëri absolute. “Prokuroria e Përgjithshme vuri formalisht në lëvizje gjykatën, ndërkohë që aktet që përcolli në këtë gjykatë ishin të pavlefshme”, - u shpreh gjyqtari Spiro gjatë arsyetimit të vendimit të pushimit të çështjes. Lidhur me veprimet e kryera nga prokurorët e çështjes, gjyqtari Spiro argumentoi se “përfaqësuesit e akuzës, në kundërshtim me urdhrin e gjykatës për ndërprerje të çdo veprimi hetimor, i komunikuan akuzën Bashës dhe Tomës”. Madje, sipas gjyqtarit, në të njëjtën kohë ata i dërgojnë me postë fashikujt hetimorë dhe provat, dhe po atë ditë e dërgojnë dosjen për gjykim në Gjykatën e Lartë. “Kishin frikë se u mbaronin afatet dhe e sjellin dosjen në gjykatë, duke shkelur në këtë mënyrë të drejtën e personit për t’u njohur brenda një kohe të mjaftueshme me akuzën dhe fashikujt hetimorë. Për prokurorët kishte rëndësi vetëm fakti që e vunë në dijeni, duke ia dërguar me postë apo duke bërë njoftime në telefon, por këto akte janë absolutisht të pavlefshme”, - deklaroi gjyqtari Spiro. Vendimi vijon më tej edhe me pavlefshmëri të dërgimit të fletë-thirrjes nga ana e prokurorëve ndaj Lulzim Bashës. Duke gjykuar kështu, Kolegji deklaroi se ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, i është shkelur e drejta kushtetuese për t’u njohur me aktet, duke e penguar atë që të përgatitej për t’u mbrojtur. Gjykata pohoi se gjen të pajustifikuar vakumin e kohës prej gati një viti, gjatë të cilit prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit dhe më pas njoftoi akuzën. Gjykatësit argumentuan se e pavlefshme është edhe akuza e pabarazisë në tendera për Bashën dhe Tomën, pasi akuza është ngritur jashtë afateve hetimore. Ndërkohë që kryesuesi i Kolegjit Penal kundërshtoi edhe kërkesën e paraqitur nga prokurorët për urdhërimin e përsëritjes së akteve, duke e konsideruar atë të pabazuar në ligj. “Të gjitha aktet e deklaruara të pavlefshme nga dy gjykatat nuk mund të përsëriten me vendim gjykate”, - deklaroi gjyqtari Spiro, duke argumentuar rrëzimin e kërkesës së dy prokurorëve të çështjes. Sipas relatorit, ashtu siç i është drejtuar edhe gjatë këtyre seancave të zhvilluara, ministri Basha nuk e ka pasur asnjëherë statusin e të pandehurit, madje as kur dosja ka ardhur për gjykim në Gjykatën e Lartë. “Këto janë shkaqet pse ky Kolegj Penal nuk mund ta shqyrtojë këtë kërkesë të pavlefshme, ndaj dhe vendosim pushimin e gjykimit ndaj deputetit Lulzim Basha dhe drejtorit të Rrugëve, Andi Toma”, - shpalli vendimin në fund të seancës relatori i Kolegjit Penal, Spiro Spiro.

Reagimi i Bashës pas vendimit të Kolegjit Penal

Gjykata e Lartë me vendim të formës së prerë pushoi çështjen penale dhe konstatoi se Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet një procesi të parregullt ligjor shkeli me dashje Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë. Sot mori përgjigjen e merituar nga Drejtësia Shqiptare komploti politik antishqiptar kundër rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë. Fundi i këtij komploti politik është një lajm i mirë, që gëzon anembanë të gjithë shqiptarët, që presin me padurim të hapin së bashku me tunelin e Kalimashit, një kapitull të ri dhe të ndritur të historisë sonë kombëtare. Sot është dita e kukuvajkës për Edi Ramën dhe të gjithë ata që investuan për dy vjet me radhë për përbaltjen e këtij projekti dhe krenarisë legjitime të shqiptarëve për të. Lutem që Zoti t’i falë, pasi kam bindjen se, as shqiptarët dhe as historia nuk do t’ia falin kurrë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›