Vizita, Ministri Nishani, takime me kreun e EULEX-it në Kosovë
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, pati dje një takim me kreun e misionit EULEX në Kosovë, z. Yves de Kermabon, ku u shpreh se bashkëpunimi në luftën ndaj krimit midis dy vendeve do të vazhdojë. Nishani paraqiti në takim një përmbledhje të arritjeve të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, duke evidentuar në veçanti se në vitet e fundit janë goditur afro 300 grupe të krimit të organizuar dhe mbi 900 anëtarë të këtyre grupeve janë vënë para drejtësisë. Po kështu, ai evidentoi edhe bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, falë të cilit janë ekstraduar për t’iu dorëzuar drejtësisë shqiptare rreth 250 persona të kërkuar për krime të ndryshme. Ministri i Brendshëm siguroi shefin e EULEX-it, Yves de Kermabon, për gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të agjencive të zbatimit të ligjit të Shqipërisë me ato të Kosovës dhe me praninë ndërkombëtare atje. Nga ana e tij, kreu i EULEX-it vlerësoi arritjet e Shqipërisë në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe shprehu nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit të Shqipërisë e Kosovës.