E Shtunë, 31 Tetor 2026

USAID: Kufizimi i imunitetit forcon shtetin ligjor

Agjencia amerikane USAID mbështet nismën e politikës shqiptare për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve. 

Një qëndrim i tillë u bë publik gjatë takimit të zhvilluar mes kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit dhe administratoren e Përgjithshme të USAID, Henrieta Fore. Në këtë takim, gjithashtu morën pjesë edhe ambasadori amerikan, John Withers dhe drejtori i USAID-it në Shqipëri. Kryeparlamentarja deklaroi se, “një ndër drejtimet kryesore të këtyre reformave, ku ne po punojmë është kufizimi i imunitetit të deputetëve, si dhe një reformë e thellë në sistemin e drejtësisë”. Ajo shtoi se, Kuvendi ka miratuar një paketë ligjesh, që i hapin rrugë reformimit të sistemit gjyqësor, në të gjitha nivelet. Ndërsa Fore, sipas njoftimit për shtyp, përgëzoi përpjekjet “për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe në nivelet e larta të gjyqësorit, si një sinjal i qartë ndaj opinionit publik se shteti ligjor, funksionon”. Duke sqaruar më tej drejtoreshën e Përgjithshme të USAID-it mbi rezultatet konkrete të luftës kundër korrupsionit, kryetarja Topalli u shpreh se, asnjë politikan tashmë nuk ka monopole në ekonomi, apo sektorë të tjerë, janë ulur ndjeshëm shpenzimet e administratës, si dhe po zbatohet me rigorozitet ligji “Për konfliktin e interesave”. Kryetarja Topalli vuri në dukje se janë kryer arrestime të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, që nga nivelet e ulëta të pushtetit lokal e deri tek zëvendësministra. Gjatë takimit kryetarja Topalli u ndal dhe në të ashtuquajturën “Reformë të rëndësishme të shtetit”, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese. Në mënyrë të veçantë Topalli vlerësoi bashkëpunimin e USAID-it në hartimin e ndryshimeve të ligjit “Për procedurat tatimore” si dhe reformës së përgjithshme në tatim-taksa. Fore u interesua për reformat në Shqipëri në fusha të ndryshme.
Administratorja Fore zhvilloi më pas dhe takim me kryeministrin Sali Berisha në zyrën e këtij të fundit. Kryeministri Berisha nënvizoi se, në vend tashmë ekziston një klimë shumë e mirë politike me opozitën për çështje kryesore. Në këtë kuadër, kryeministri u shpreh se, qeveria është e gatshme të ndërmarrë të gjitha masat për të bërë të mundur heqjen e imunitetit të zyrtarëve, duke i konsideruar ata të barabartë me qytetarët. Kryeministri e vlerësoi këtë si një hap shumë të rëndësishëm në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›