Qeveria fiton 45 milionë dollarë çdo 3 muaj nga taksat dhe importi i karburanteve
Buxheti i shtetit ka marrë vetëm nga karburantet brenda tre muajve 5,9 miliardë lekë ose rreth 45 milionë dollarë si taksa. Të dhëna zyrtare të administratës së doganave bëjnë të ditur se, saktësisht për 6.3 miliardë lekë karburante grosistët kanë paguar 5.9 miliardë lekë taksa dhe kjo vetëm si pasojë e çmimeve mjaft të rritura të karburanteve. Të ardhurat nga taksat e karburanteve janë trefishuar brenda tre viteve, ndërkohë, krahasuar me vjet, për të njëjtën sasi të karburanteve të zhdoganuara ato janë 93 për qind më të larta. Për karburantet paguhet tatim mbi vlerën e shtuar që është 20 për qind e vlerës dhe kjo rritet paralelisht me rritjen e çmimit të karburanteve. Gjithashtu, paguhet edhe akcizë, edhe taksë doganore, të cilat në zërin e të ardhurave kanë pësuar rritje të qartë krahasuar me vjet. Ajo që vihet re më së shumti është se, për 6,3 miliardë lekë karburante janë paguar 5,9 miliardë lekë taksa, që do të thotë një vlerë e jashtëzakonshme taksash për karburantet. Shqipëria është një prej vendeve me çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe duke e parrë që nga viti 2002, ato kanë njohur një rritje prej mbi 130 për qind, ndërkohë që në tregun botëror çmimet nga ajo kohë janë rritur me 90 për qind. Gjatë këtij harku kohor çmimet në Shqipëri kanë njohur vetëm rritje, ndërsa në tregun e huaj ato herëpashere njohin ulje-ngritje. Në vendin tonë ka një specifikë me çmimet, pasi ato, kur kapin një vlerë, çfarëdo që të ndodhë në tregun e huaj, në tregun tonë ato nuk ulen më. Çmimet e mëdha të karburanteve kanë ndikuar në të gjithë treguesit e tjerë të çmimeve, pasi kanë rritur koston e produkteve dhe të shërbimeve të tjera. Brenda gjashtë muajve, të ardhurat nga taksat e karburanteve kanë kaluar nivelin e 11 miliardë lekëve, sipas të dhënave zyrtare, ndërkohë që vjet ato ishin më pak se 8 miliardë lekë për pothuajse të njëjtën sasi karburantesh ose për një sasi karburantesh shumë pak më të vogël. Kjo rritje çmimesh dhe rritje të ardhurash në buxhetin e shtetit po thellon hendekun me konsumatorët, të cilët vuajnë kostot dhe çmimet e larta.
19 Korrik 2008