E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Sefgjinit: “Nuk ka provë të re për vërtetimin e akuzave”



Luan Kondi

TIRANË - Avokati mbrojtës i Arben Sefgjinit deklaroi dje se dosja e biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha u rihap për shkak të lojërave politike ku u përfshi organi i Akuzës. Në seancën ndaj drejtorit të Tatimeve, avokati Zef Nika tha se Prokuroria nuk ka asnjë provë të re për të vërtetuar akuzat.
Seanca
Të njëjtën linjë mbajti dhe i akuzuari Avni Koldashi, i cili pretendoi se akuzat ndaj tij janë politike, ndërsa përmes avokatit ka pohuar se në këtë çështje vetëm sa ka zbatuar urdhrin duke shoqëruar Hoxhën dhe më pas është larguar. I pandehuri i katërt Ilir Kumbaro është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Avokati i tij mbrojtjes kërkoi dje pezullimin e çështjes, kërkesë që u hodh poshtë nga akuza. Trupi gjykues ka vendosur të thërrasë ditën e hënë për të dëshmuar gruan dhe djalin e biznesmenit Hoxha. Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi akuzohen si të implikuar në zhdukjen e biznesmenit shqiptaro maqedonas Remzi Hoxha.
Kërkesa
Prokuroria i çështjes iu drejtua dy javë më parë Gjykatës së Lartë për të rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që la të lirë Arben Sefgjinin, një nga të akuzuarit kryesor për çështjen “Hoxha”. Sipas Prokurorisë, lirimi i Sefgjinit ishte i paligjshëm, ndaj kërkon pranë organit më të lartë gjyqësor rikthimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”. Burime pranë Gjykatës së Lartë pohojnë se kërkesa është depozituar pranë kësaj gjykate më 23 qershor dhe kjo do të shqyrtohet shumë shpejt. Krahas rikthimit të masës së sigurisë “arrest shtëpie” për Sefgjinin, kërkohet e njëjta masë sigurie edhe për dy të akuzuarit e tjerë Avni Koldashin dhe Budjon Meçen. Sipas Akuzës, paligjshmëria e vendimit të Apelit qëndron në faktin se trupi gjykues që duhet të jepte vendimin duhet të përbëhej pre 5 gjyqtarësh dhe jo tre siç ndodhi në fakt. Pra i mbetet Gjykatës së Lartë të vendosë tashmë nëse ishte i drejtë vendimi që la Sefgjinin të lirë pas akuzave për rrëmbim dhe tortura me pasojë të rënda ndaj biznesmenit Remzi Hoxha, i zhdukur prej 13 vjetësh.
Ngjarja
Në fund të qershorit, gjatë seancës së radhës, prokurori lexoi kërkesën për gjykim ndaj të pandehurve të çështjes “Hoxha”. Në kërkesë thuhej se “Remzi Hoxha, Ziso Kristopulli dhe Abdyl Loshaj, pasi ishin rrëmbyer nga ish-punonjësit e SHIK-ut, janë torturuar dhe janë detyruar të nënshkruajnë një deklaratë, në të cilën kishin pranuar se ishin agjentë dhe se kishin bashkëpunuar me njëri -tjetrin për të sjellë armë në Shqipëri”. Seanca e radhës do të zhvillohet më 11 korrik, ku pritet të paraqiten edhe dëshmitarët e parë. Shqiptaro-maqedonasi Remzi Hoxha u rrëmbye dhe më pas u zhduk më 21 tetor të vitit 1995. Për zhdukjen e tij prokuroria akuzon katër ish -punonjësit e SHIK-ut, Arben Sefgjini, Budjon Meçe, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Të pandehurit e kësaj dosjeje akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Abdyl Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në muajt shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar, Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione.

19 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›