E Diel, 1 Nëntor 2026

Karta, kryebashkiaku i Vlorës padit Aleat

Autori i Lajmit: red.
Përplasja

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka paditur në prokurori për shpërdorim detyre konsorciumin "Aleat", që merret me aplikimin dhe shpërndarjen e kartave te identitetit. Sipas tij, procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit në këtë qytet po vihet seriozisht në rrezik, pasi një pjesë e madhe e zgjedhësve nuk kanë mundur të pajisen me karta identiteti. Kryebashkiaku i Vlorës ka pohuar se i ka bërë një kërkesë zyrtare kompanisë “Aleat”, që të informohet për listën e qytetarëve që janë pa pasaportë, por ende nuk ka marrë përgjigje. Por akuzat e tij i ka kundërshtuar prefekti vlonjat, Hasan Halili. Sipas tij, procesi po ecën normalisht. Dhe “Aleat” e ka pranuar ekzistencën e një kallëzimi të tillë.
Akuza
“Janë rreth 187.428 zgjedhës nga të cilët kanë aplikuar 70.601 zgjedhës dhe kanë marrë kartat e identitetit vetëm 32 mijë prej tyre. Pra, më pak se gjysma e atyre që kanë aplikuar kanë tërhequr kartat e identitetit. Unë i kam bërë një kërkesë zyrtare nga pozicioni i kryetarit të Bashkisë, kompanisë Aleat dhe drejtuesve të saj vendorë këtu në Vlorë, për të na vënë në dispozicion me transparencë të plotë listën e qytetarëve që janë pa pasaportë, dhe sigurisht pastaj me emër e mbiemër listën e qytetarëve që janë pa pasaportë, kanë aplikuar dhe kanë tërhequr këtë kartë,- ka pohuar kryebashkiaku i Vlorës. Sipas tij, nëse kompania Aleat dhe drejtuesit e saj vendorë në Vlorë nuk do të na japin një përgjigje zyrtare dhe një informacion transparent progresiv, ai do të bëjë një kallëzim penal në prokurori për shpërdorim detyre. Ndërkohë që prefekti i Vlorës, Hasan Halili, e cilëson normal pajisjen e qytetarëve me karta. “Në qoftë se ne do pranojmë si qeverisje që në 100 veta do të marrin pjesë 60 veta në votime, atëherë në Bashkinë e Vlorës duhet të jenë me dëshirë për të votuar 60 mijë votues. Nga këta 44.781 janë pajisur me karta identiteti. Ne themi që me këtë shifër do të përballohet mundësia e së drejtës për të votuar”, - ka pohuar Hasan Halili. Padia e kryebashkiakut të Vlorës është konfirmuar dhe nga vetë përfaqësuesit e kompanisë Aleat në Vlorë, por ata garantojnë se po bëjnë ç është e mundur për pajisjen e qytetarëve me karta. Realisht, qyteti i Vlorës ka vetëm një ndërtesë ku bëhet njëkohësisht aplikimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit nga ku në një zyrë të vetme janë 3 kompjuterë aplikimi dhe nga ana tjetër 3 sportele të shpërndarjes së kartave ku vazhdimisht ka radhë.

Ky lajm është publikuar: 11/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›