E Diel, 1 Nëntor 2026

Uashingtoni: Qeveria “Berisha”, notë pozitive për respektimin e të drejtave të njeriut

Përgjatë vitit 2007 qeveria “Berisha” ka respektuar në përgjithësi të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Në këtë përfundim mbërrin raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me liritë dhe të drejtat e njeriut në botë. Gjithsesi rekomandohet një vëmendje më e madhe për sa i përket reduktimit të fenomenit të gjakmarrjes, rasteve të abuzimit me të dënuarit në burgje, përmirësimin e kushteve të të burgosurve, korrupsionit të policisë, diskriminimit të gruas, fëmijëve, pakicave kombëtare si dhe një luftë më e madhe ndaj trafikimit të qenieve njerëzore. Raporti thekson se ndryshe nga periudha para vitit 2005, nuk pati raportime “se qeveria apo agjentët e saj kryen vrasje arbitrare apo të jashtëligjshme”, në një kohë që vrasjet shoqërore vazhduan gjatë vitit. “Sipas Ministrisë së Brendshme, nga 96 vrasjet gjatë vitit, dy kishin lidhje me gjakmarrjen, duke shënuar një rënie në vrasjet për gjakmarrje për shkak të rritjes së hetimeve. Tradita e gjakmarrjes buron nga një kod nderi tradicional, i cili vazhdon të ndiqet në pak bashkësi të izoluara. Në shkurt, parlamenti miratoi amendamente në Kodin Penal për të kriminalizuar gjakmarrjen dhe për t’i bërë të ndëshkueshme me dënim 3 vjet. Gjatë vitit, një konferencë e organizuar nga OJQ i bëri thirrje Këshillit Bashkërendues të Luftës Kundër Gjakmarrjes, një organ i qeverisë, kryesuar nga Presidenti, që të ndërmerrte një rol më proaktiv në luftën kundër gjakmarrjes. Gjykata e Krimeve të Rënda shqyrtoi çështje të gjakmarrjes. Vrasja me paramendim, kur kryhet për hakmarrje apo gjakmarrje, ndëshkohet me 20 vjet burg ose burgim të përjetshëm” - citon raporti. Sipas raportit të DASH, edhe gjatë vitit të kaluar kushtet e burgjeve nuk përmbushnin standardet ndërkombëtare. Gjithsesi vlerësohet se qeveria lejoi monitorim të pavarur të kushteve të burgjeve nga grupe vendore dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, media, dhe të tjerë, ndërsa Ministria e Drejtësisë mori nën administrim administroi të gjithë burgjet dhe mjediset e paraburgimit. Për sa i përket funksionimit të sistemit gjyqësor theksohet se burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, stafi i pamjaftueshëm dhe i mbingarkuar, në shumë raste penguan sistemin e gjykatave të gjykonte çështjet në kohën e duhur. Kësisoj çështjet e mbartura disa herë çonin në mbajtjen e të dyshuarve në paraburgim më gjatë se kufijtë ligjorë. Ndërkaq raporti vlerëson se nuk pati raportime për të burgosur apo të ndaluar politikë. Shprehet gjithashtu shqetësimi se shumë çështje të zgjidhjeve për pronat, nuk zbatohen për shkak të implikimeve të forta shoqërore apo politike. “Për shembull, autoritetet nuk vunë në zbatim urdhrin e gjykatës për t’i dhënë pronarit të ligjshëm ndërtesën që strehonte dy sindikatat kryesore të vendit në Tiranë, siç ishte vendosur nga gjykata. Në vitin 2006, një individ fitoi një çështje në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut kundër qeverisë sepse kjo kishte dështuar t’i paguante kompensimin e urdhëruar nga gjykata për pronën e zënë; kompensimi nuk ishte paguar deri në fund të vitit” - citon dokumenti, duke theksuar se procesi i kthimi i pronave mbetet ende mjaft problematik. Ndërkaq përsa i përket lirisë së shtypit, thuhet se qeveria përgjithësisht i respektoi këto të drejta, ndonëse citohet se pati raportime që qeveria dhe bizneset ushtruan presin të tërthortë mbi median. “Ndërkohë që media ishte aktive dhe kryesisht e papenguar. Në përgjithësi, individët mund ta kritikonin qeverinë publikisht ose privatisht pa u ndëshkuar; ndërkohë që nuk pati përpjekje të publikuara nga qeveria për të shtypur kritikat nga individët, pati raste presioni të tërthortë mbi median. Në vitin 2005, kryeministri nxori një urdhër që u kërkonte zyrtarëve qeveritarë të përdornin të drejtën e replikës në vend të padive civile apo penale kundër medias. Nuk pati raportime për padi të tilla gjatë vitit. Nuk pati raportime që policia apo zyrtarë të tjerë abuzuan fizikisht gazetarët” - theksohet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Veç të tjerash raporti vëren se nuk ka patur kufizime nga qeveria mbi aksesin ndaj internetit apo raportime se qeveria monitoronte sallat e komunikimit me email apo internet. E njëjta gjë vlen edhe për lirinë akademike apo veprimtaritë kulturore. Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson në raportin e tij faktin që edhe pse në vend pati më pak se 100 hebrenj, para, gjatë dhe pas Luftës të Dytë Botërore; nuk pati raportime për sinagoga apo qendra komunitare që funksiononin në vend apo ndonjë akt antisemit. Pavarësisht polemikave e nga ana e opozitës në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, raporti vlerëson se “parlamenti zgjodhi Bamir Topin president, në përputhje me udhëzimet kushtetuese”. Përsa i përket fenomenit të korrupsionit në administratë, theksohet se pavarësisht nga një numër arrestimesh të zyrtarëve të lartë vendorë dhe qendrorë, korrupsioni mbeti një pengesë madhore ndaj reformave domethënëse. “Në dhjetor, parlamenti hoqi imunitetin e Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha pas pretendimeve për parregullsi në projektin më të madh të punëve publike në vend. Në shtator, Prokuroria arrestoi gjashtë punonjës qeveritarë të nivelit të lartë nën akuza për korrupsion, përfshi një zëvendës-ministër të punëve publike, drejtorin e përgjithshëm të rrugëve dhe drejtorin e prokurimeve; të gjithë pretendohej se ishin përfshirë në një skemë ryshfetesh për tendera ndërtimesh. Deri në fund të vitit, nuk ishte përcaktuar datë për gjyq. Deri në gusht, prokurorët kishin hapur 555 procedime penale për abuzim me detyrën qeveritare, veprime arbitrare, dhe shtrembërim të barazisë në tendera prokurimi publik. Nga këto, 36 ishin specifikisht për korrupsion dhe 28 nga këto arritën në hetime. Autoritetet ndoqën penalisht 17 zyrtarë. Gjatë vitit, kryeministri thirri Task-Forcën Anti-Korrupsion, krijuar në vitin 2006 për të ulur krimin e organizuar, për të bashkërenduar veprimet kundër korrupsionit. “Taske-Force”-a është një organ bashkërendues, kryesuar nga kryeministri, përfshi disa ministra, krerë agjencish të pavarura shtetërore, të tilla si kompania publike e energjisë, policia dhe organizata të zbulimit” - thotë raporti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›