Solana: Kursi reformator i Tiranës po sjell afrimin e Shqipërisë me Brukselin
Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Havier Solana, vlerësoi dje progresin e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe në zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetme, si dhe shprehu mbështetjen e plotë të BE-së për vazhdimin në të njëjtën rrugë dhe me të njëjtin ritëm, në avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në trajektoren e saj të pakthyeshme europiane. Dje në Bruksel u zhvillua takimi i radhës i dialogut politik mes Shqipërisë dhe BE-së. Pala shqiptare u përfaqësua në këtë takim nga ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ndërsa Trojka e BE-së u përfaqësua nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Europian dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Havier Solana, si dhe Sekretari slloven i Shtetit për Çështjet Europiane, Stanceviç, Drejtori i Përgjithshëm për zgjerimin, Michel Leigh dhe përfaqësuesit e Presidencës së ardhshme franceze të BE-së. Gjatë takimit Shqipëri-BE u diskutua rreth ecurisë së reformave prioritare në Shqipëri, zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, si dhe mbi politikën e jashtme shqiptare, në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Ministri Basha u përqendrua në rezultatet e arritura në fushat prioritare të çështjeve të brendshme, të drejtësisë dhe në reformën zgjedhore në vend. Ai i njohu përfaqësuesit e Trojkës Europiane me arritjet konkrete të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimin e reformave ekonomike dhe fiskale, si dhe ecurinë e reformës në drejtësi dhe reformës elektorale. Më tej, ministri Basha bëri një vlerësim të situatës në rajon, duke nënvizuar se Shqipëria është konsekuente në politikën e saj të jashtme për bashkëpunim të hapur dhe të gjithanshëm me të gjitha vendet, duke vendosur në krye të këtij angazhimi bashkëpunimin rajonal dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë si një faktor sigurie dhe stabiliteti. Mbështetja e gjithanshme për shtetin e ri të Kosovës dhe perspektiva europiane e gjithë vendeve të rajonit, zunë gjithashtu një vend qendror gjatë dialogut Shqipëri-BE.
Trojka e BE-së përshëndeti arritjet e qeverisë shqiptare në reformat e saj ekonomike, politike e ligjore. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Europian dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Havier Solana, vlerësoi si shumë pozitive ecurinë e arritjeve të Shqipërisë dhe shprehu bindjen e tij për përfundimin me sukses të procesit të ratifikimit të MSA-së nga të gjitha vendet anëtare. Në veçanti, u vlerësua roli konstruktiv në partneritet të plotë me BE-në, që Shqipëria luan në bashkëpunimin rajonal. Trojka përshëndeti fillimin e negociatave për heqjen e regjimit të vizave si dhe ritheksoi përkushtimin e BE-së për kontributin e vazhdueshëm financiar në fushat e bashkëpunimit Shqipëri-BE.
Ministri Basha u prit në takime të veçanta nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Europian dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Havier Solana, si dhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn. Perspektiva e zgjerimit të BE-së dhe procesi i pandalshëm i integrimit të Shqipërisë në Union, situata rajonale dhe Kosova, ishin temat kryesore të këtyre takimeve.