E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andrea Stefani, ky 99-sh që luan rolin e kukuvajkës

Nuk ka qenë aspak e vështirë për të dalluar predispozitën skandalozisht negative të Andrea Stefanit në shkrimin e vet, gjysëm kuisës e gjysëm kuku, të publikuar dje në një të përditshme të Tiranës. Zotëria e tij kishte ndjerë si me bio-rrymë se Shqipëria nuk do ta merrte ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, e se për këtë gjëmë bënte përgjegjëse si aksionere kryesore, natyrisht qeverinë, por nuk mungonte pa fshikulluara as opozitën, se pse s’po merrte qysh tani rolin e kukuvajkës. Gjysëmangazhimi politik i Andrea Stefanit me “Grupimin 99” të Erion Velisë, i cili duket se po aborton si plan, e s’po arrin as të lindë në pranverë, sipas parashikimeve të Edvinit, na detyron të kthejmë vështrimin nga shërbimet 10-vjeçare të Andreas për të majtën. Asnjëherë s’e pamë zotërinë të shfaqte drojën se pse Shqipëria po zbriste përherë e më shumë në shkallët e zbatimit të ligjit e po rritej në atë të korruptimit masiv, bile s’e kuptonim as rolin e vet prej qiraxhiu teksa drejtonte një ekip që prodhonte filma që denonconin korrupsionin, por që s’rezultuan gjë tjetër përveçse pushkë në dorën e Andreas, kundër kujtdo që vinte seriozisht në rrezik sundimin e monopoleve. Ky Andrea na paska kuptuar tani se Shqipëria nuk do ta marrka ftesën për në NATO (veç ai ditka t’i lexojë mesazhet e ndërkombëtarëve, e të tjerët qenkan truthiasur), e sulmon zot e dreq se pse nuk po mbushen rrugët me protestues për të rrëzuar (edhe më armë, pat thënë aty nga 97-a) qeverinë. Po prit he burrë, të mos merret ftesa, e pastaj edhe nisim e bëjmë bilancet e fajeve. Aty do të gjejmë se si u bllokua prej vitesh e para kërkesë e një lideri ish-komunist, ajo e Sali Berishës, për ta anëtarësuar Shqipërinë në NATO, në sirtarët e aleancës, për shkak të një 97-e, gjyqi i të cilës do të të nxirrte edhe ty fajtor, e më vonë akoma për shkak të destabilizimit të rajonit e pas vitit 1999, edhe për shkak të shndërrimit të Shqipërisë në një vatër të frikshme që eksportonte krim e korrupsion. Krejt kjo histori, që rezulton amnezi në fatia-t publicistike të Andrea Stefanit, na bën ta marrim disi joseriozisht edhe mallkimin e fundmë të tij, edhe ftesën për të mbushur rrugët me huliganë. Nuk është fjala për të mbushur brekët pas bakshisheve të majme që merren prej shërbimeve, por për të debatuar se si duhet ta realizojmë sa më shpejt atë aspiratë të të gjithë shqiptarëve. Po ku merr vesh ky Andrea nga punët e mira e të mbrothëta kombëtare, ai që nga korriku i 2005-s veç kukuvajkën ka luajtur, e me shndërrimin në një sistem kuku-je, lexojmë edhe se si do të jenë 99-shat e nesërme. Është rasti të kujtojmë se uthulla e fortë prish enën e vet, e rrezik Edvini ka për t’u trembur nga vrulli revolucionar i Andreas me shokë, e ka për t’i lënë sërish në stol, në pritje sa të piqen politikisht, paçka se natyra nuk jep fort përgjigje shpresëdhënëse për kungujt e pjekur në hije.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›