E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRIZA FINANCIARE Protesta në Athinë e Selanik, tre të vdekur

Autori i Lajmit: Redaksia

Protestat që kanë përfshirë Greqinë ditët e fundit kanë degjeneruar në tre të vdekur ditën e djeshme. Një bombë Molotov, e hedhur në një institut bankar në zonën afër Parlamentit, ka shkaktuar një zjarr vdekjeprurës. Nën gërmadhat e bankës “Martin Egnatia” kanë humbur jetën të paktën tre persona, dy gra dhe një burrë. Nga flakët janë shkrumbuar edhe dy zyra të tjera publike, njëra që i përkiste prefekturës së Athinës dhe një tjetër ku është vendosur agjencia e tatim-taksave. Nga këto sulme është rrezikuar edhe jeta e 20 personave të tjerë, të cilët kishin mbetur të bllokuar në objektin brenda të cilit ndodhet banka e sulmuar nga protestuesit. Përleshjet kanë shpërthyer dje në mesditë nëpër rrugët e Athinës dhe në Selanik. Dhjetëra-mijëra grekë kanë vërshuar nëpër rrugë për të protestuar ndaj masave antikrizë, të cilat janë miratuar nga qeveria, dhe nesër pritet të votohen në Parlament. Masat do ta shpëtonin vendin nga falimentimi.
Protestat
Protestuesit kanë tentuar dje të hyjnë edhe në godinën e Parlamentit, por janë bllokuar nga policia. Sipas mediave greke, në Athinë një grup prej 60 demonstruesish janë përpjekur të thyejnë kordonin e policisë që ruante Parlamentin, si dhe kanë qëlluar me gurë policët, të cilët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Në Athinë policia thotë se mbi 20 mijë persona janë në rrugë për të protestuar. Në Selanik të rinjtë kanë thyer dritaret e dyqaneve të fast-food-ve, etj. Demonstrata vjen pasi Greqia është paralizuar nga një grevë e përgjithshme e para që kur qeveria deklaroi të dielën masat antikrizë. Shteti helen prej dy ditësh përballet me në një “blac out” informativ për shkak të grevës së gazetarëve. Trafiku ajror, hekurudhor dhe urban është totalisht i paralizuar. Në lëvizje do të jenë vetëm autobusët, të cilët do të mundësojnë protestuesit ti dërgojnë në destinacionet e protestave. Të mbyllura dhe spitalet, shkollat, bankat, zyrat publike, dyqanet.
Sindikatat
Pas protestave nga punonjësit e sektorit publik dhe sindikatës komuniste Pame, protestat u transformuan dje në një grevë të përgjithshme, pasi i bashkohen dhe punonjësit e sektorit privat. Kjo është greva e tretë e përgjithshme që është organizuar që nga fillimi i krizës, dhe e para pas deklarimit të masave antikrizë. Plani antikrizë dënohet përveç sindikatave edhe nga partitë në opozitë, duke nisur nga Demokracia e Re, e cila ka deklaruar se do të votojë kundër sot në Parlament. Megjithatë, mazhoranca i ka të gjitha votat për të miratuar planin antikrizë. Nga 300 deputetë që janë në Parlamnet 160 deputetë janë të partisë në pushtet, PASOK. Pro do të votojë dhe partia e djathtë ekstreme, Laos. Plani antikrizë i cili është koordinuar mirë me BE-FMN, në këmbim të 110 miliardë eurove ndihmë në tre vjet, parashikon një reduktim të shpenzimeve në 30 miliardë euro, shkurtim të pagesave të punonjësve të administratës, pensioneve, reforma fiskale si dhe rritje të akcizës për karburantet, alkoolin, cigaret dhe çdo gjë të luksit.

Ky lajm është publikuar: 06/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›