Obama paralajmëron: Reformë në financën botërore
"Stuhia ekonomike më e keqe se Depresioni i Madh, që preku Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka nisur të zbutet, ndërsa retë e errëta të së kaluarës kanë nisur të shpërbëhen". Këto ishin fjalët e para të Presidentit amerikan, Barak Obama, në fjalimin mbajtur në Nju Jork një vit pas falimentimit të "Lehman Brothers". "Tani duhet një reformë energjike në financën botërore, që duhet aprovuar brenda viti", vazhdoi më tej ai, duke treguar gjendjen "shëndetësore" të ekonomisë amerikane. Një vit më parë, situata ishte e rëndë, tregjet ishin në gjendje të lirë dhe shumë shpejt pasojat dramatike dhe kriza përfshin ekonominë e gjithë globit.. "Tani që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po reformojnë në mënyrë agresive sistemin e kontrollit tonë financiar, do të përpiqemi që edhe pjesa tjetër e botës të bëjë të njëjtën gjë", tha ai, duke kujtuar se sekretari i thesarit, Timothy Geinther, ka zhvilluar një sërë takimesh me kolegët e tij ndërkombëtarë. "Që sistemi financiar ta marrë veten plotësisht, na duhet kohë, por falë masave të marra deri tani po nisim të kthehemi në normalitet. Por më duhet t‘ju them se kjo nuk duhet të na kënaqë". Më tej, Presidenti amerikan vazhdoi: "Nuk duhet të lejojmë që historia të përsëritet dhe nuk do të rikthehemi në ditët e veprimeve të pamatura dhe babëzisë së pakontrolluar të krizës, ku shumë ishin të motivuar vetëm nga oreksi për bonuset. Wall Street nuk duhet të ndërmarrë rreziqe pa menduar mirë pasojat e asaj çka mund të ndodhë. Ai nuk duhet të mbështetet te një shpëtim i ri publik në rast krize. Për këtë arsye kemi nevojë për rregulla më të forta". Shqetësimet e tij në veçanti janë për situatën e brendshme: "Për fat të keq, ka disa njerëz në industrinë financiare që po e interpretojnë këtë moment në mënyrë të gabuar. Në vend të mësojnë leksionet nga falimentimi i "Lehman" dhe nga kriza nga e cila po dalim ngadalë, kanë vendosur t‘i injorojnë. Por në këtë mënyrë nuk vënë në rrezik vetëm veten, por gjithë kombin tonë". Kjo është prova - shtoi Obama - e nevojës së ndryshimit të rregullave, të ndihmuar edhe nga fakti se disa pothuajse u janë rikthyer praktikave të vjetra. "Një vit më parë eksperimentuam se si tregu mund të gabojë, se si mungesa e rregullave të domosdoshme mund të çojë në tepri dhe abuzime. Pas një viti është thelbësore të aprovohen reformat që do ta pengojnë një krizë si kjo të përsëritet". Në fund ai i "lutet" Wall Street-it të gjejë ndjenjën e përgjegjësisë dhe fuqinë të mbështesë rritjen ekonomike, sidomos pasi shumë banka e morën veten nga kriza falë ndihmës së qeverisë. "Shumë prej kompanive që sot e kanë marrë veten dhe po shprehin shenja të qarta të shërimit i kanë një borxh të madh amerikanëve. Për këtë arsye u bëj thirrje bankave të ndihmojnë familjet që kërkojnë modifikim të huave në kuadër të planit të prezantuar nga administrata. Duhen ndihmuar kompanitë e vogla që kanë nevojë të dëshpëruar për financim". Në fund ai garantoi se do të jenë rregullat dhe reforma energjike në botën financiare që do t‘i garantojë qytetarët të mos paguajnë më për gabimet e tyre".