E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ushtarët amerikanë, të pafajshëm”

27/04/2005  Një burim nga Pentagoni zbulon para kohe konkluzionet e hetimit. Italia nuk pranon

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të shpërndajnë raportin, por Italia vazhdon të kërkojë që të sqarojë disa pika. Pozicionet mes SHBA dhe Italisë ndryshojnë për sa i përket shpejtësisë me të cilën po lëvizte automjeti, në të cilin ndodheshin dy italianët si edhe përmbajtjen e komunikimit mes zyrtarëve italianë dhe atyre amerikanë, përpara episodit tragjik

Delegatët italianë këmbëngulin se shenja ALT u dha në të njëjtën kohë me nisjen e të shtënave, pa u lënë asnjë mundësi italianëve që të shmangnin sulmin. Por jo vetëm kaq. Dy delegatët kanë sulmuar edhe vendimin e vendosjes së një postblloku në dalje të një kthese, si dhe të nënvizonin se plumbat nuk u drejtuan për te motorri, për të ndalur veturën, por drejt kabinës

Shtetet e Bashkuara ia kalojnë qeverisë së Italisë dhe bëjnë zyrtar përfundimin e hetimit administrativ mbi vdekjen e Nicola Caliparit: ushtarët amerikanë nuk kanë faj, sepse kanë ndjekur udhëzimet. Deklarata ka ardhur direkt nga Pentagoni. Ka qenë një zyrtar në shërbim në komandën qendrore të Tasmpa, në Florida, që u ka dhënë lajmin gazetarëve: “Hetimi, ka thënë ai, ka arritur në përfundimin se ushtarët që kanë vrarë funksionarin e Sismi dhe plagosur gazetaren Giuliana Sgrena, në 4 mars në Bagdad, nuk do të konsiderohen përgjegjës për sa ndodhi, por Italia nuk i ka pranuar këto konkluzione. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të shpërndajnë raportin por, Italia vazhdon të kërkojë që të sqarojë disa pika. Pozicionet mes SHBA dhe Italisë ndryshojnë për sa i përket shpejtësisë me të cilën po lëvizte automjeti në të cilin ndodheshin dy italianët si edhe përmbajtjen e komunikimit mes zyrtarëve italianë dhe atyre amerikanë, përpara episodit tragjik”. Komunikime të cilat vetë zyrtari i ka konsideruar “të pamjaftueshme”.

Ka qenë një lëvizje që i ka paraprirë çdo lëvizjeje të mundshme në Pallatin Chigi. Dje ishte parashikuar një takim i drejtuar nga nënsekretari Gianni Letta, në të cilin do të duhej të merrnin pjesë ambasadori Mel Sembler, pikërisht për të gjetur një rrugëdalje nga situata që është krijuar pas refuzimit të dy delegatëve italianë, ambasadori Ragaglini dhe Gjenerali Campregher, për të firmosur relacionin përfundimtar. Tani gjithçka rivihet në diskutim. Deri tani, qeveria italiane kishte preferuar heshtjen, por zbulimet e fundit tregojnë se e ka konsideruar të papranueshme pafajësinë e ushtarakëve amerikanë. Jo më kot po shqyrtohej mundësia e paraqitjes së një kundërrelacioni, i cili të evidentonte kontradiktat mes dy versioneve të ndryshëm.

Majori i Sismit që ngiste makinën ka pohuar gjithnjë se po udhëtonte me shpejtësi të ulët, mes 40 e 50 km/orë. “Kur mbërrita në gjysmë të kthesës, ka shpjeguar, u ndez një dritë e fortë, në pozicion mbi makinën time... Frenova menjëherë, dhe makina ndaloi pas një apo dy metrash... Në atë moment, teksa frenoja, dëgjova shpërthimin e njëkohshëm të disa armëve të zjarrit dhe kuptova që të shtënat vinin nga krahu i djathtë.” Fjalët e tij janë konfirmuar edhe nga Giuliana Sgrena.

E kundërt ka qenë versioni i ushtarëve që patrullonin. “Makina civile po udhëtonte me shpejtësi të lartë drejt postbllokut të fiksuar. Makina u sinjalizua me dritë të fortë prozhektori dhe drita dore në një largësi mbi 100 metra, dhe ajo vazhdoi të afrohej. Kështu që, njësia shtiu fillimisht për të paralajmëruar në tokë, në perëndim të mjetit në një distancë 70 metra. Makina nuk ndaloi. Njësia shtiu mbi makinën në një largësi afro 50 metra dhe ajo ndaloi”.

Raporti përfundimtar bën pikërisht këtë rindërtim të ngjarjes. Kalon kështu, linja e Pentagonit, e cila që nga fillimi kishte përjashtuar mundësinë e kontestimit qoftë edhe të një gabimi të vogël nga ana e ushtarëve të postbllokut.

Në bazë të këtij versioni, ku është këmbëngulur që në raportet e parë të Komandës së SHBA në Bagdad, relacioni i firmosur nga gjenerali amerikan, Peter Vangjel, pohon se ushtarët kanë respektuar rregullat, duke bërë tre paralajmërime, përpara se të hapnin zjarr kundër veturës. Në të kundër me këtë, delegatët italianë këmbëngulin se shenja ALT u dha në të njëjtën kohë me nisjen e të shtënave, pa u lënë asnjë mundësi italianëve, që të shmangnin sulmin. Por jo vetëm kaq, dy delegatët kanë sulmuar edhe vendimin e vendosjes së një postblloku në dalje të një kthese, si dhe të nënvizonin se plumbat nuk u drejtuan për te motorri, për të ndalur veturën, por drejt kabinës.

Toyota Corolla, makina me të cilën udhëtonin dy zyrtarët e Sismit dhe gazetarja ka mbërritur dje në Romë. Dhe kjo demonstron se SHBA e konsideron të mbyllur hetimin. Tashmë fjala i kalon gjykatës. Kur aktiviteti i komisionit do të konsiderohet i mbyllur, dy delegatët do të pyeten nga ministrat, dhe aty do të vendosin edhe nëse duhet të ruajnë sekretin mbi identitetin e ushtarëve amerikanë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›