E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri shkrumbon tregun, shkak shkëndija elektrike



SARANDË - Tregu industrial është përfshirë nga zjarri mëngjesin e djeshëm, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mjete zjarrfikëse të Sarandës dhe Gjirokastrës u përfshinë në operacionin për shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave të para, janë djegur pika të shumta të tregtimit të veshmbathjeve, këpucëve dhe produkteve të tjera industriale. Ende nuk ka një pistë për shkaqet, por grupi hetimor dyshon se zjarri mund të jetë shkaktuar nga ndonjë rezistencë e harruar ndezur, por nuk përjashtohet as pista e zjarrvënies së qëllimshme. Ekspertët po punojnë për zbardhjen e shkaqeve.

E zhdukur prej një muaji, gjendet në port
DURRËS - Prej më shumë se një muaji e zhdukur, është gjetur dje një 26-vjeçare. Mirela Lisi është identifikuar nga Policia e Durrësit në momentin kur ajo ka dashur që të kalojë në port. “Rreth orës 22:45, shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit të Durrësit, bënë identifikimin e shoqërimin e shtetases së kërkuar si e larguar nga banesa, Mirela Lisi, 26 vjeçe, lindur e banuese në fshatin Zharrëz, komuna Zharrëz Fier, me kombësi e shtetësi shqiptare, me arsim të lartë, me gjendje gjyqësore e padënuar”, - thanë gjatë ditës së djeshme burime zyrtare nga Policia e qytetit bregdetar. Sipas tyre, Lisi ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së qarkut Fier më datë 8 prill 2010, pasi është larguar nga banesa. Pas ndalimit të saj është bërë shoqërimi në komisariat, ku është marrë dhe në pyetje. Pas procedurave ajo është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Fierit.

Shembet miniera, plagoset punonjësi
BULQIZË - Një 50-vjeçar është lënduar gjatë punës në minierën e Bulqizës. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, teksa i lënduari Sazan Muça ka qenë duke gërmuar në nivelin 12. Në një moment një pjesë guri është shkëputur duke i rënë mbi këmbën e majtë, çka i ka shkaktuar atij plagë, por pa rrezik për jetën. Të pranishëm kanë qenë dhe punonjës të tjerë, të cilët e kanë nxjerrë 50-vjeçarin nga miniera dhe e kanë dërguar menjëherë drejt spitalit rajonal. Por, për shkak të plagëve në këmbë, Sazan Muça është transportuar drejt Spitalit Ushtarak për kurim më të specializuar.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›