E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pandehuri i dosjes “Gërdeci” kërkon heqjen e masës së sigurisë

TIRANË - Një nga të pandehurit e dosjes “Gërdeci”, Shkëlzen Madani, kërkon shuarjen e masës së sigurisë. Madani është i pandehur në një tjetër proces gjyqësor, krahas atij të “Gërdecit”, ku akuzohet nga ana e prokurorisë për korrupsion me dhënien e lejeve për shitjen e eksplozivëve për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës dhe për këtë vepër, gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Me detyrën e drejtorit të Menaxhimit të Instalimeve të Burimeve të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes, Madani, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, ka marrë ryshfete për dhënien e lejeve për shitjen e eksplozivëve. Më datë 30.07.2009, ky i pandehur është dënuar me 1 vit e 8 muaj burg nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Por ky vendim u apelua nga ana e të pandehurit dhe aktualisht është duke u zhvilluar procesi në Gjykatën e Apelit. Nga ana e tij, Madani pretendon se i kanë kaluar të gjitha afatet e caktuara për masën e sigurisë dhe kërkon nga gjykata shuarjen e saj, pasi që prej gati një viti ai është duke qëndruar në arrest shtëpie. Tashmë pritet që gjykata të marrë në shqyrtim kërkesën e Shkëlzen Madanit dhe më pas të vendosë lidhur me shuarjen apo jo të masës së sigurisë.

Tre të rinj, luftë grushtesh në autobusin e Kombinatit

TIRANË – Grinden në mes të autobusit dhe e flakin nga dera të riun. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në një nga autobusët e linjës së Kombinatit në Tiranë. Tre të rinj janë grindur mes tyre fillimisht ne autobus dhe më pas njëri prej tyre është hedhur jashtë mjetit pasi ishte qëlluar disa herë nga dy kundërshtarët në konflikt. Nuk ka ende të dhëna të konfirmuara në lidhje me identitetin e protagonistëve të ngjarjes së rëndë, megjithatë burime të policisë thanë se shkak i ngjarjes ka qenë një sherr banal. Pas disa momenteve në konflikt verbal, dy djem kanë rrahur një bashkëmoshatar të tyre dhe më pas kanë hapur derën e autobusit duke e hedhur të plagosurin përtokë. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, i dëmtuari ka rënë me kokë në asfalt dhe për pasojë ka humbur ndjenjat.

Pranga të riut shqiptar, kundërshtoi forcat e policisë

ITALI - I bënë rezistencë karabinierisë italiane, arrestohet 24-vjeçari shqiptar. Ajo çka i bëri të ndërhyjnë policët ishte një lajmërim që u bë nga një vajzë, e cila po udhëtonte me makinën e saj. Shqiptari, së bashku me një shokun e tij në një automjet tjetër filluan të pengonin rrugën e vajzës, e cila e trembur nga ngacmimet që ata po bënin lajmëroi menjëherë autoritetet. Sapo erdhën ato e ndaluan menjëherë shqiptarin, i cili u bëri rezistencë forcave policore, madje duke kundërshtuar ne dhunë kundër tyre duke i goditur e sharë. Shoku i tij arriti të shmangej nga kjo situatë duke ikur dhe humbi çdo gjurmë të tij. Ndërsa emigranti 24-vjeçar identiteti i të cilit nuk është bërë publik u bllokua dhe u arrestua nga forcat e rendit.

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›