E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzuesit për dy provimet me zgjedhje

23/02/2010 Maturantët e rinj dhe të vjetër kanë afat për plotësimin e dy formularëve deri më 10 mars

Rastet kur penalizoheni nga zgjedhja e gabuar e lëndëve për provimet me zgjedhje

Për të konfirmuar regjistrimin për garën e pranimeve në universitete maturantët duhet të paraqiten për të plotësuar pranë shkollave të mesme të tyre dy formularët A-1 dhe A-1Z. Në këta dy formularë do të listohen dy provimet me zgjedhje që do të jepen për pranimet në universitete për vitin akademik 2010-2011. Sipas afateve të përcaktuara në rregulloren e provimeve, maturantët e rinj dhe ata të vjetrit duhet ta dorëzojnë të plotësuar këtë formular brenda datës 10 mars. Duke iu referuar këtij afati, ata duhet të tregojnë kujdes në procedurën e plotësimit. Madje, në raste kur evidentohen gabime, mund të kërkohet plotësimi i një tjetër formulari, por brenda afatit të përmendur më lart. Po ashtu një tjetër rregull që duhet pasur kujdes është dhe përzgjedhja e lëndëve që do të jepen në provim. Nuk mund të listohen kurrsesi dy lëndë që u përkasin gjuhëve të huaja.

Plotësimi

Ministria e Arsimit tashmë ka shpallur dy formularët së bashku me udhëzuesit e plotësimit. Mësuesit dhe personat përgjegjës të maturës shtetërore 2010, në çdo shkollë, duhet të orientojnë nxënësit mbi procedurën e plotësimit në mënyrë që të shmangen gabimet penalizuese. Sipas udhëzimit, formulari A-1 plotësohet vetëm nga maturantët e vitit shkollor 2009-2010. Ai plotësohet me shkronja të mëdha dhe do të konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse është plotësuar në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme. Në rast të kundërt ai do të konsiderohet i pavlefshëm dhe maturanti humbet të drejtën e regjistrimit. Në krye të formularit A-1, në hapësirat e lëna bosh, si fillim duhet të shkruani emrin e drejtorisë arsimore ku ndodhet shkolla pranë së cilës ju do të jepni provimin, më pas duhet të shkruani emrin e qytetit ose fshatit në të cilin ndodhet shkolla juaj dhe emrin e shkollës ku ju po studioni. Bazuar në tabelën nr.1 (indekset e profileve/degëve), gjeni indeksin e degës dhe shënoni numrin që përfaqëson dega që ju po ndiqni. P.sh. gjimnazi drejtimi shoqëror në tabelë ka indeksin 2, në formular ju do shënoni numrin 2 (plotësohet në bashkëpunim me mësuesin kujdestar). Më pas shënoni emrin tuaj, atësinë dhe mbiemrin. Kujdes! Të shkruhen me germa kapitale dhe në përputhje me dokumentin e identifikimit, si dhe të bëhet kujdes me shkronjat ë dhe ç. Shënoni datëlindjen tuaj, duke plotësuar me dy shifra ditën dhe muajin. Më pas vendosni një shenjë në formë kryqi në kutinë që i përket gjinisë suaj. P.sh., nëse i përkisni gjinisë femërore shënoni një kryq [X] në kutinë përbri fjalës “femër”. Nxënësit që duan të vazhdojnë studimet në Itali, shënojnë një kryq [X] në kutinë përbri “po”-së. Qarkoni IV ose V dhe shkronjat përkatëse A, B, C, D, E, F, G, H, I, K, L, M, N, O, P, Q, R, S. (P.sh., nëse jeni në klasën IV B, qarkohet IV dhe shkronja B; nëse jeni në klasën V D, qarkohet V dhe shkronja D). Në rastin kur shkolla ka përdorur numra për emërtimin e klasave, mësuesi kujdestar të konvertojë numrin në shkronjë sipas radhës së përcaktuar më sipër. Bazuar në listën e lëndëve me zgjedhje të poshtëshënuar, qarkoni 2 lëndët me zgjedhje që do të jepni provim dhe numrat që u korrespondojnë atyre.

Lëndët

Në lëndët që do të qarkohen, vetëm njëra mund të jetë gjuhë e huaj. P.sh., nuk mund të qarkoni anglisht dhe frëngjisht, anglisht dhe italisht etj. Nxënësi firmos në hapësirën e përcaktuar për të. Në rastin kur kandidati nuk ka likuiduar njërën nga dy lëndët e detyruara, do të shënojë emrin e të dyja lëndëve, notën e shkallëzuar të lëndës që ka likuiduar dhe notën vjetore të të dyja lëndëve. Në rastin kur kandidati nuk ka likuiduar asnjërën nga dy lëndët e detyruara, do të shënojë emrin e të dyja lëndëve dhe notën vjetore të të dyja lëndëve. Lëndët me zgjedhje mund të rijepen, por dhe mund të mbarten njëra ose të dyja, sipas dëshirës së kandidatit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›