E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stina Koncertore 2009-2010 Tre virtuozë me Orkestrën RTSH

Autori i Lajmit: Redaksia
Aromë Italie dhe Ukrahine në Tiranë. Dhe, nga ajo më e mira... Tre virtuozë, të cilësuar si mjeshtra të violinës janë shfaqur së bashku në kuadër të Stinës Koncertore 2009-2010. Konkretisht, mbrëmë, në Pallatin e Kongreseve është shfaqur një koncert simfonik nga Orkestra Simfonike RTSH-së, në drejtimin e maestros Massimo Palombo, në violinë një nga talentet më në zë shqiptare në Itali, Suela Mullaj si dhe Aleksandër Zyumbrovski, një violonçelist ukrainas me një repertor jashtëzakonisht të pasur. Në program u përfshinë dy uvertura të Rossinit, si dhe një koncert për violinë, violonçel dhe piano i L. Van Beethoven.

Nga Tirana, në Torino

Tirana ishte vetëm stacioni i parë i virtuozëve të violinës. Pas Tiranës, do të jetë radha e Torinos. Të shtunën, më 28 nëntor 2009, në orën 20.30, në Konservatorin “Giuseppe Verdi” në Piazza Bodoni, Torino, violinistja soliste Suela Mullaj dhe maestro Massimo Palumbo paraqesin “Balada e përtejdetit dhe të mëdhenjtë e Evropës”, koncert për violinë dhe piano. Koncerti, i organizuar nga shoqata kulturore italo-shqiptare “Vatra” dhe nga Zyra e përfaqësimit e Dhomës së Tregtisë së Tiranës në Torino, nën patronatin e ambasadës së Shqipërisë në Itali dhe të qytetit Torino, propozohet me rastin e festave kombëtare të Shqipërisë. Programi i mbrëmjes parashikon muzikë nga kompozitorët e mëdhenj evropianë Ludëig Van Beethoven, Sonata in Re Maggiore Op. 12 Nr.1, Joseph-Maurice Ravel, Sonata in Sol, Ottorino Respighi, Tre Pezzi per Violino e Pianoforte dhe prezantimin për herë të parë në Torino të baladës së autorit shqiptar Pjetër Gaci. Eventi muzikor organizohet në kuadër të projektit “Festivali i Kulturës Shqiptare”, i realizuar me mbështetjen e rajonit të Piemontit, që synon promovimin dhe vlerësimin e pasurisë artistike, kulturore dhe letrare të popullit shqiptar. Koncerti është realizuar me bashkëpunimin e FIAP, Federata e Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbereshe të Piemontit, të Fondacionit UECO (United Europe Chamber Orchestra) dhe të shoqatave “Vatra arbëreshe” dhe “Shkodra Life”. Hyrja në koncert është e lirë.

Suela Mullaj

Virtuozja shqiptare, Suela Mullaj, e cilësuar tashmë nga kritika evropiane, si violinistja që tundon Sibelius, zhvillon aktivitetin e saj artistik në Orkestrën e Dhomës të BE-së. Soliste prej gjashtë vitesh me këtë formacion artistik, Suela Mullaj është koncertuese solistike në Konservatorin Verdi të Milanos dhe në një tur aktiv evropian, që kap shifrën e rreth 150 koncerteve, me një repertor muzikor që lëviz në hapësirat mes koncerteve romantikë dhe kompozitorëve modernë të shekullit. Suela luan në një violinë “Fernandus Galliano 1761”, dhuruar me bujari nga Fondacioni “Pro.Canale”.

Massimo Palumbo

Massimo Palumbo konsiderohet sot nga kritika dhe publiku si një nga realitetet më të rëndësishëm pianistikë të gjeneratës së tij dhe repertoi i shumtë si dirigjent fillon që nga operat italiane të viteve 800 e deri tek kompozimet e Bach dhe Bethoven. Që nga viti 2000 ai është drejtor artistik dhe muzikant në Orkestrën e Dhomës të EU-së, me një repertor koncertal që prek tri qytetet e kulturës muzikore evropiane, Milano, Vjenë dhe Berlin.
Të dy interpretuesit kanë qenë pjesëmarrës të përhershëm edhe në Verën e Ohrit, festivali I përvitshëm kulturor që mbahet në qytetin e Ohrit.

Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›