E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dehet dhe qëllon me thikë shokun

Korçë


KORÇË- Masakron me thikë shokun, përfundon në pranga agresori. Plagosjet janë të shumta në rrethin e Korçës, ndërsa vetëm në muajin e fundit policia ka regjistruar pesë të tilla. Ngjarja e fundit ka ndodhur në qytetin e Maliqit, mes dy të rinjve në orët e vona pas mesnatës së kaluar.


Marsel Demollari, 26-vjeçar, i dënuar më parë për vjedhje është grindur në një lokal 24-orësh në qytezën e vogël me shtetasin Klodian Agolli, 29-vjeçar, edhe ky nga qyteti i Maliqit.

Sipas autoriteteve, sherri ka ndodhur për motive banale pasi të dy të rinjtë kanë qenë në gjendje të dehur. Ndërkaq, Demollari ka qëlluar Agollin me mjete të mprehta duke i shkaktuar dëmtime të shumta trupore. I plagosuri është transportuar në spitalin e Korçës, dhe ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa autori është kapur pas disa orësh.

Ai është gjetur i fshehur në afërsi të qytetit të Maliqit në orët e para të mëngjesit të së martës, bashkë me thikën me të cilën ka kryer krimin.


Tatimorët e Vlorës: KLSH u nxitua


Një deklarim i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për degën e tatimeve të Vlorës ka sjellë reagimin e kreut të këtij institucioni. Në një prononcim të djeshëm për gazetën, Gent Hamzaraj tha se KLSH është nxituar në deklarimet lidhur me dëmin ekonomik që pretendohet se ka shkaktuar dega e tatimeve të Vlorës.

"Disa muaj të vitit 2008 ishin objekt i punës së KLSH-së për shmangien nga detyrimi i bizneseve. Në fund të konkluzioneve të KLSH-së u deklarua se dëmi ekonomik i shkaktuar nga ky mosdeklarim ishte 600 milionë lekë. Ne menjëherë shfaqëm kundërshtimet tona për këtë raport, por këto nuk u morën parasysh.

Kjo pasi disa biznese kishin mospërputhje në dokumentacione, kryesisht në pasqyrat e të ardhurave dhe shpenzimeve. Pasi nisëm verifikimet në terren, nga 49 biznese që ishin objekt i punës së KLSH-së, ne kemi rikontrolluar 27 prej tyre dhe rezulton që shifrat të jenë rreth shumës 10 milionë. Nuk mund të them se kemi të bëjmë me një raport tendencioz, por kontrollorët u nxituan, - thotë Hamzaraj.

-------------------------------------------------------------------------

Durrës, i dehur futet me makinë në lokal


DURRËS - Një hatërmbetje e momentit pas një shkëmbimi të disa fjalëve në gjaknxehtësi e sipër, dhe një klient i nervozuar shkon e merr makinën e vet të parkuar aty dhe futet drejt e në lokal duke e shkatërruar plotësisht atë. Pas kësaj, ai është vënë në pranga për kryerjen e veprës penale të "shkatërrimit të pronës".


Arrestimi i Edmond Hadroit u bë dje rreth orës 17:00, ndërsa ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 në lagjen nr.11 të qytetit. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur kanë mbërritur në vengjarje forca të shumta policie, të cilët kanë arritur të marrin në dorë situatën.

Në polici janë shoqëruar që të dy protagonistët e ngjarjes, pronari i lokalit, si dhe klienti i inatosur. Pas dëshmisë së palëve, si dhe dëshmitarëve të tjerë në vendngjarje, policia e Durrësit ka prerë fletën e arrestit për 29-vjeçarin Edmond Hadroi.


Sulmi i tij ka përfunduar vetëm tek dera, pasi fatmirësisht hapësira e lokalit ishte e vogël dhe vijimi i "rrugës" do të çonte edhe në vetëdëmtimin e tij. Përveç dëmit që i është shkaktuar automjetit nga përplasja, si pasojë e këtij veprimi janë dëmtuar dhe pajisje të tjera të cilat ndodheshin afër hyrjes kryesore, si karrike, dyer etj. Fatmirësisht, theksuan dëshmitarët okularë, në momentin e përplasjes nuk ka pasur njerëz në afërsi të hyrjes.

Sipas informacioneve të marra nga policia e Durrësit shkak për incidentin është bërë një grindje e çastit. Pronari i lokalit ka kërkuar largimin e klientit për shkak të gjendjes së tij të dehur, por "largimi" ka qenë i dhunshëm.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›