E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers ikën, SHBA mbeten në Tiranë

Ndërsa Xhon Uidhers ka nisur të paketojë valixhet e para që do ta shoqërojnë në kthimin e tij në atdhe, ceremonitë e lamtumirës së tij në Shqipëri janë vërtet të vakëta. Duke e nuhatur atmosferën që mbizotëron në zyrat e Kryeministrisë, edhe Presidenti i Republikës e përcolli dje të dërguarin e Uashingtonit pa ndonjë vlerësim të veçantë, që në këto raste përkthehet në dekorim e urdhra mirënjohjeje.
Një lamtumirë e tillë e Tiranës zyrtare është deri diku e pritshme, për një ambasador që gjatë mandatit të tij nuk i ka kursyer kritikat ndaj qeverisë. Kritika që kanë nisur që nga simbolikat e zgjedhura me përrallat e rrëfyera për fëmijët e një kopshti të kryeqytetit e deri tek deklaratat e drejtpërdrejta ndaj rrezikimit të pavarësisë së gjyqësorit apo lirisë së mediave, shqetësimin për luftën ndaj korrupsionit e trafiqeve të organizuara. Të gjitha këto sirena alarmi të mikut nga Uashingtoni, nuk mund të shiheshin me sy të mirë nga aktorët e lojës politike në këto anë të Ballkanit, ku protagonizmi personal kërkon të shuajë çdo zë kundër. Në fund të misionit të tij diplomatik, z.Uidhers i është dashur të përballët me disa zëra të njohur pro qeverisë që na kanë kujtuar ne, por mbi të gjitha vetë diplomatit, se në asnjë vend tjetër të Europës, një diplomat nuk do t’ia lejonte vetes ndërhyrjen kaq të hapur në debatet e brendshme. Tashmë që ambasadori po largohet, këta zëra me siguri që fërkojnë duart me mendimin se pasardhësi i tij do të ketë një frenim të protagonizmit të tepruar që dëshmoi z.Uidhers. Por a duhet të presim vërtet një ndryshim të qasjes së diplomacisë amerikane në Shqipëri me largimin e ambasadorit Uidhers ?
çdo zyrtar, me vullnetin apo ambiguitetin që e karakterizon, mund të ndikojë në veprimtarinë e përditshme dhe ndërtimin e imazhit të tij. Në rastin e një përfaqësuesi diplomatik, këto aspekte personale mund të jenë të rëndësishme në ndërtimin e marrëdhënieve njerëzore dhe urave të komunikimit me aktorët politikë dhe ata të shoqërisë civile të vendit mikpritës. Dhe të gjithë ambasadorët amerikanë që kanë misionuar në Shqipërinë postdiktatoriale nuk kanë hezituar që të shfaqen më shumë njerëzore sesa diplomatë në momentet e gëzimit dhe hidhërimit të këtij vendit. Kjo gjithnjë përsa i përket aktivizimit në jetën sociale të një vendi.
Kur flitet për vlerat e demokracisë dhe ndërtimin e institucioneve të një vendi, gjithçka ndryshon. Nuk mund të ketë një ambasador amerikan që mund të gjykojë ndryshe nga një kolegu i tij në çdo vend të botës, mbi faktin që korrupsioni zyrtar dhe trafiqet e organizuara duhet të luftohen nga qeveritë. Nuk mund të ketë “syze” të ndryshme vështrimi të diplomatëve amerikanë ndaj lirisë së zgjedhjeve apo pavarësisë së gjyqësorit. Nuk mund të mos ngrihet zëri i një përfaqësuesi diplomatik, nëse mediat rrezikojnë lirinë e tyre të fjalës apo shtyhen drejt falimentit nga mungesa e rregullave të barabarta të lojës. Aleksandër Arvizu, (i dërguari i ri i Uashingtonit) mund të ketë njohje të shkëlqyera për Azinë dhe të vakëta për Ballkanin, por kjo nuk do ta pengojë aspak atë të kritikojë ndryshimet e shpejtuara të ligjit të SHISH-it apo çdo ligji tjetër të dyshimtë në shtatorin e ardhshëm. Kjo sepse edhe ai do të jetë përfaqësuesi i një vendi ku vlerat e demokracisë dhe liria vazhdojnë prej shekujsh të zhvillohen më tej në shërbim të qytetarëve dhe jo të vullnetit të liderëve politikë që ndjekin rotacionin e zakonshëm në detyrë. Aq më tepër, nuk mund të ndryshojnë këto vlera në varësi të emrit të ambasadorit të radhës që do të nisë misionin në Tiranë.
Me siguri, edhe pasardhësi i z.Uidhers do të përfshihet në debatet e përditshme të politikës shqiptare ndoshta më shumë se kolegët e tij në pjesën tjetër të botës. Këtë rol, që për dikë shihet si tejkalim i kompetencave diplomatike, në fakt detyrohen ta luajnë prej shumë vitesh të gjithë ambasadorët e vendeve të mëdha. Jo sepse e dëshirojnë një detyrë të tillë mbi shpinë, por sepse është vetë politika foshnjërore shqiptare me papjekurinë e saj dhe mungesën e dialogut, e cila ua ngarkon këtë mision. Sa herë që reforma zgjedhore mbetet pezull dhe vendi rrezikon të shtyjë zgjedhjet; sa herë që maxhoranca dhe opozita nuk pranojnë të ulen së bashku dhe rrezikojnë të lënë vendin pa president; sa herë që bojkotet dhe greva e urisë rrezikojnë integrimin; janë ambasadorët që rendin sa në një seli partie në tjetrën për të qetësuar gjakrat dhe për të dhënë detyrat e radhës për “nxënësit e mbrapshtë”. A nuk është pra përgjegjësia e politikës sonë që i detyron ambasadorët të ndërhyjnë në debatet e brendshme më tepër se ç’u njeh statusi i tyre? Duke qenë se një vjeshtë e nxehtë politike na pret edhe ambasadori i ri amerikan do të detyrohet të ndjekë të njëjtën rrugë takimesh e negociatash pasmesnate të paraardhësit të tij.
Për të gjitha këto arsye, duhet të jetë e qartë se në valixhet e z.Uidhers do të paketohen vetëm sendet e tij personale dhe kujtimet që ka mbledhur gjatë këtij misioni. Diplomacia amerikane, mbrojtëse e vlerave demokratike, kritike ndaj autoritarizmit dhe korrupsionit, do të vazhdojë të qëndrojë në Tiranë. Nëse do të jetë e nevojshme, do ta bëjë të dëgjohet në shumë forma zërin e saj duke na zgjuar nga gjumi dhe këshilluar sa herë që hedhim ndonjë hap të gabuar në turravrapin që kemi marrë për të kapur kohën e humbur. Në fund të fundit, miqtë për këtë duhen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›