E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Gruevski takimnë Shkup: Bashkëpunim i gjithëanshëm mes 2 vendeve

SHKUP- Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u prit sot në Shkup nga Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski.
Gjatë takimit, Zv. Kryeministri Meta shprehu gatishmërinë e Qeverisë shqiptare për të zhvilluar me Maqedoninë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim të gjithanshëm, si dhe theksoi nevojën e ruajtjes dhe forcimit të dialogut politik ndërmjet dy vendeve.

Në këtë kuadër, Meta dhe Gruevski, ranë dakort për shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe angazhimin në projekte të përbashkëta, veçanërisht në infrastrukturë, për rritjen e shkëmbimeve tregtare, zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e turizmit, arsimit, kulturës dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë, si dhe për hapjen e pikave të përbashkëta kufitare e doganore.

Gjatë takimit u nënvizua gatishmëria për mbajtjen sa më shpejt të komisioneve të përbashkëta ekonomiko-tregtare, për zgjidhjen e incidenteve kufitare, mirëmbajtjen e shenjave kufitare, menaxhimin dhe shfrytëzimin e ujerave, përfshirë këtu edhe Liqenin e Ohrit.

Kryediplomati shqiptar theksoi se Shqipëria mbështet fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si garanci për sigurimin e stabilitetit, mirëkuptimit dhe mirëbesimit të brendshëm, si dhe mbështet gjithashtu integritetin territorial dhe sovranitetin e Maqedonisë.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›