E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uilliams "bllokon" testet e Shumaher: Kundër rregullave!

Rikthimi i Mikael Shumaher në cirkuitet e Formula 1 vazhdon të jetë tema e ditës. Megjithatë, shtatë herë kampioni i botës do të përballet me pengesën e parë në periudhën kur do të jetë zëvendësuesi i Felipe Masës. Frenk Uilliams rrezikon të "bojkotojë" pilotin gjerman, duke u shprehur kundër testimeve me Ferrarin F60. "Jemi të gjithë të lumtur për rikthimin e Mikael Shumaher, por çdo lloj testi është i ndaluar gjatë sezonit", deklaroi numri 1 i skuadrës Uilliams. Shumi, i cili do të garojë në vend të Masës, që dje u kthye në Brazil për fazën e rehabilitimit, do të provonte makinën e këtij sezoni të "kokëkuqes", përpara Çmimit të Madh të Europës, e programuar të zhvillohet në Valencia më 23 gusht. Javën e kaluar në Muxhelo, ai hipi në timonin e F2007, makinës që u përdor në Botërorin e dy viteve më parë, duke realizuar 67 xhiro. Rregullorja e F.1 tregon qartë se asnjë skuderi nuk mund të zhvillojë testime me makinën që përdor në kampionat. Për të anashkaluar nenin 22.1.a, duke vlerësuar se ky ishte një rast i veçantë, Ferrari i kërkoi leje speciale skuadrave. Megjithatë, përgjigjja negative e Uilliams mjafton për të bllokuar projektet e konstruktorit nga Maranelo. "Për të qenë sa më transparentë dhe korrektë nuk e pranojmë kërkesën e Ferrarit, për zhvillimin e testeve përpara garës në Valencia", shtoi 67-vjeçari për agjencinë gjermane të lajmeve "Dpa". Për më tepër, rregullorja është zbatuar në mënyrë strikte edhe përpara Çmimit të Madh të Hungarisë. 19-vjeçari spanjoll, Xhemi Alguersuari, debutoi me makinën Toro Roso pa zhvilluar asnjë lloj testimi. Vetëm pak orë më parë, kreu i Mercedesit, Norbert Haug, ishte shprehur "pro" nismës së Ferrarit. Më vonë, edhe Red Bull e Toro Roso janë shprehur kundër kërkesës.

Ndërkohë, për të përditshmen berlineze, "Die Welt", presidenti Luka di Montexemolo zbulon disa prapaskena të rikthimit të Shumaher. "Personalisht nuk isha i sigurt se do ta bindja Shumin. Kjo sepse gjatë bisedave të mëparshme, ai më theksonte vazhdimisht sesa i lumtur ishte pasi u tërhoq nga garat: kishte më shumë kohë për të qëndruar pranë familjes", tha ai. "Megjithatë, të gjithë ata që punojnë te Ferrari, dëshironin ta shihnin sërish në pistë, me një makinë të F.1. Është e vërtetë që ai ka regjistruar suksese në këtë sport, por nuk presim mrekulli prej tij". Dje është konfirmuar edhe shifra që do të fitojë piloti gjerman: 1 milion euro në çdo garë. Tabloidi "Tageszeitung" theksonte se kësaj shifre do t‘i shtohet edhe 1 milion euro për çdo fitore. Më tej është edhe çështja e rinovimit të kontratës si konsulent i "kokëkuqes": sipas "TZ", Shumaher nuk do të largohet nga skuadra dhe nga marrëveshja e re pritet të përfitojë 10 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›