Barça "blindon" Leo Mesin: Klauzolë 300 milionë euro
Duke qenë se Lionel Mesi është unik në llojin e tij, Barcelona synon t‘i dyfishojë yllit argjentinas klauzolën për prishjen e kontratës. Për t‘u mbrojtur nga sulmet e klubeve që dëshirojnë të blejnë 22-vjeçarin, katalanët kanë përcaktuar çmimin 300 milionë euro. Sipas "El Mundo Deportivo", kampionët e Europës kanë filluar bisedimet me argjentinasin për përmirësimin e kontratës: marrëveshja e re do të bënte që "pleshti" të fitonte 9.5 milionë euro rrogë në sezon (aktualisht ai përfiton 8 milionë euro). Në këtë mënyrë, Mesi do të mbetej lojtari më i paguar në "Kamp Nou", duke lënë pas vetes blerjen e re të skuadrës, Zlatan Ibrahimoviç. Me transferimin te katalanët, sulmuesi suedez do të përfitojë 9 milionë euro në vit (tek Interi rroga e tij ishte 3 milionë euro më e lartë). Skuadra e Guardiolës vazhdon turneun në SHBA, ndërsa në Spanjë pritet të paraqitet babai i sulmuesit, Horge Mesi, për të përcaktuar detajet e kontratës. Në klasifikimin e futbollistëve me klauzolat më të shtrenjta për prishjen e kontratave, Mesi renditet në vendin e tretë pas Kakasë dhe Kristiano Ronaldos, të cilët Florentino Perez i ka "blinduar" me 1 miliard euro secili. Në vendin e katërt ndodhet Ibrahimoviç me 250 milionë euro.