Uithers për DASH: Si duhet të silleni me Berishën, Ramën dhe Topin
Kabllogrami sekret i ish-ambasadorit që kërkon qëndrime të qarta nga Departamenti i Shtetit për të mbrojtur atë që ai e quan demokraci delikate dhe panorama e luftës brenda llojit në dy partitë e mëdha
Një kabllogram i koduar si kofidencial nga ish-ambasadori i ShBA-së në Tiranë, Xhon L. Uithers, përshkruan një listë të gjatë me këshilla dhe përgatitje, para vizitës në Shqipëri në tetor 2008, për zëvendës/ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Stuart Jones. Ku duhej të mëshonte përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit në takimet me Berishën, Topin dhe Ramën? Cilat ishin pikat ku duhej të këmbëngulte dhe lista e kërkesave për kryeministrin Berisha në lidhje me drejtësinë dhe prokurorinë. Profilet që ambasadori bëri gati për Jones dhe që sillnin një panoramë të ndryshme të politikës shqiptare. Sipas Uithers, Berisha kishte rivalë brenda PD-së, që kishin filluar manovrat kundër tij, por Kryeministri mbetej mjaft i fortë dhe kontrollonte gjithçka. Ish-ambasadori e shihte presidentin Topi si një rival, por njëkohësisht vërente se përkrahësit e tij ishin mjaft të dobët dhe të çorganizuar. Një kabllogram ku zëvendës/ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Stuart Jones, i kërkohet të vërë “pikat mbi i” dhe t’u kërkojë politikanëve kryesorë shqiptarë angazhime serioze për demokracinë dhe zgjedhjet e ardhshme.
Kabllogrami
Subjekti: Parapërgatitje për vizitën e zëvendës/ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Stuart Jones, në Tiranë
E klasifikuar nga: Ambasadori Uithers, për shkak të 1.4 (b) dhe (d)
(U) Ambasada e Tiranës mirëpret vizitën tuaj në Tiranë, një qytet që vështirë ta njihni, ndërsa kanë kaluar 14 vjet që prej vizitës suaj të fundit në Shqipëri. (C) Vizita juaj vjen në një kohë pasigurish për shqiptarët dhe për klasën politike në veçanti. Edhe pse një vit e gjysmë më parë, kohë që u shënua nga vizita e presidentit Bush në Shqipëri dhe ratifikimi nga ana e SHBA-së i ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, gjë që në mënyrë të përsëritur është përshëndetur nga qeveria shqiptare si konfirmim i kërkesës emergjente për ta anëtarësuar Shqipërinë në komunitetin Euroatlantik, të dyja, vizita dhe ftesa, janë tashmë lajme të së djeshmes.
Shqiptarët janë fokusuar tashmë në zgjedhjet parlamentare të vitit që vjen dhe gjithashtu po tentojnë të masin (dhe tentojnë të përdorin si avantazh) dëmet që mund të vijnë nga hetimet në prag të përfundimit mbi shpërthimin në Gërdec dhe gjithashtu dyshimet për korrupsion në projektin e rrugës Durrës-Kukës.
Edhe pse i sigurt në krye të Partisë Demokratike dhe qeverisë, kryeministri Sali Berisha përballet me pakënaqësi në rritje brenda PD-së, ndërsa pasardhësit e mundshëm kanë filluar manovrat e tyre. Me presionin në rritje nga hetimet, Berisha është bërë veçanërisht i paqëndrueshëm muajt e fundit, duke sulmuar zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe sistemin gjyqësor në tentativë për të kufizuar dëmin politik dhe ndoshta penal, mbi veten, familjen dhe aleatët e tij. Edhe pse në masë të madhe Shqipëria nuk është prekur nga kriza ekonomike, mjaft e ndjejnë se është çështje kohe para se vendi të ndiejë shtrëngesën.
(C) Gjatë takimeve dypalëshe ju do të keni mundësinë të përcillni drejtpërdrejt nga Uashingtoni mesazhin se tentativat e qeverisë për të frikësuar prokurorët, kontrolluar gjyqësorin dhe për të pasur kontroll më të madh mbi shërbimet e inteligjencës e median e lirë, janë të papranueshme. Veprime të tilla jo vetëm kërcënojnë aspiratat e Shqipërisë për në NATO, por gjithashtu rrezikojnë të dëmtojnë në një plan afatgjatë marrëdhëniet dypalëshe. Ju gjithashtu duhet të nxitni Kryeministrin, Presidentin, ministrin e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të përshpejtojnë përpjekjet për të pastruar stoqet e municioneve të vjetra dhe mjaft të rrezikshme që Shqipëria trashëgoi nga epoka komuniste. Berisha dhe ministri i Jashtëm Basha nuk do të kursejnë asgjë për t’u treguar shqiptarëve që marrëdhëniet dypalëshe janë në gjendje mjaft të mirë. Qëndrimet tuaja publike dhe private duhet të jenë kalibruar me kujdes, për të treguar në mënyrë të padiskutueshme që, edhe pse ne mbetemi miq dhe aleatë të përkushtuar të Shqipërisë, ne nuk do të heshtim ndërsa qeveria tenton të përmbysë reforma demokratike të arritura me mund.
Berisha: Ende “Politikani që s’mund të anashkalohet” në Shqipëri
(C) Takimi kryesor gjatë vizitës suaj do të jetë ai me kryeministrin Berisha. Edhe pse mjaft njerëz brenda partisë së tij e shohin Berishën si një disavantazh politik, ai vazhdon të jetë i sigurt dhe të kontrollojë qoftë partinë qoftë qeverinë shqiptare. Ai është një njeri që punon shumë dhe një mikro-menaxher, asnjë vendim i rëndësishëm brenda qeverisë nuk merret pa miratimin e tij.
Ne kemi arsye të besojmë se tentativat e fundit për të sekuestruar dokumente nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe kërcënime ndaj prokurorëve për arrestime janë të miratuara nga vetë Berisha. Ndërsa hetimet për Gërdecin po i afrohen fundit, duket se djali i Berishës mund të rezultojë i implikuar, një rezultat i tillë (nga hetimet) do të ishte rrënues për Berishën politikisht dhe mund të ketë pasoja penale për djalin e tij. Frika nga një përfundimi i tillë po e shtyn Berishën në sjellje antidemokratike, sjellje që mund të shtohen në të ardhmen ndërsa hetimi vazhdon. Berisha duhet të dëgjojë nga ju në mënyrë të drejtpërdrejtë që tentativat e tij për të nënshtruar institucionet e pavarura janë të papranueshme, dhe që ne nuk do të qëndrojmë mënjanë dhe të lejojmë atë të dëmtojë demokracinë e gjallë, por ende delikate të Shqipërisë. Berisha duhet të dëgjojë gjithashtu mesazhin se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një tregues kryesor se sa serioze është Shqipëria mbi demokracinë, që edhe një palë zgjedhje jo të mira teknikisht, nuk do të shihen thjesht si zgjedhje me probleme teknike, por si mungesë e vullnetit politik dhe seriozitetit mbi normat demokratike.
Presidenti Topi: Duke pritur në krah?
Edhe pse anëtar i PD-së së Berishës dhe i propozuar për postin e Presidentit nga Berisha, mospëlqimi i Topit për Berishën është i dukshëm. Të dy mbeten rivalë të vendosur politikë dhe i kanë përplasur kokat vazhdimisht në muajt e fundit. Topi është mbrojtësi kryesor politik i Prokurores së Përgjithshme dhe ai ka punuar për të mbrojtur pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme nga sulmet e Berishës. Megjithëse shumë brenda PD-së dhe opozitës e shohin Topin si personin e vetëm brenda PD-së me peshë për të zëvendësuar Berishën në krye të partisë, mbështetësit e Topit brenda partisë janë relativisht të dobët dhe të çorganizuar.
Ekonomi: Me të gjithë motorët ndezur, por për sa kohë?
(C) Ekonomia e Shqipërisë është duke ecur me hap të fortë, me një rritje të GDP mbi 5 për qind në pesë vitet e fundit. Edhe pse vazhdon të renditet si një nga vendet më të varfra të Europës, ditët e ekonomisë së Shqipërisë si një kosh basketbolli janë kaluar prej kohësh. Megjithëkëtë, Shqipëria mbetet në mënyrë të rrezikshme e varur nga reminitancat nga jashtë për të mbuluar deficitin gjigant tregtar, dhe shumë frikësohen se sektori i ndërtimit, më i madhi sektor i veçantë, është një flluskë në pritje për të shpërthyer. Investimet e huaja janë shumë të dobëta, kjo për shkak të frikës nga korrupsioni, titujve të pronësisë, paaftësisë burokratike dhe mungesës së një Gjykate Administrative e tregtare. Vendi është mjaft i varur nga Greqia dhe Italia, qoftë për eksporte apo importe dhe bankat greke dhe italiane dominojnë sektorin bankar. Edhe pse Shqipëria ka mbetur e pa prekur nga kriza botërore financiare, javët e fundit janë vënë re rritje të tërheqjeve nga bankat të depozituesve të kujdesshëm. Ju duhet të këmbëngulni me biseduesit tuaj për nevojën e një plani rezervë nga ana e qeverisë, diçka që banka qendrore e ka filluar, por që Ministritë e Financës dhe Ekonomisë nuk e kanë bërë.
Uithers
Uithers përkrahte Ramën, kur ky ishte kundër protestave
Një qëndrim me nota “pozitive” i përcillej zëvendës/ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Stuart Jones në Tiranë për kreun e PS-së, Edi Rama, për sa kohë ky përkrahte anëtarësimin në NATO dhe kishte një qëndrim të moderuar opozitar. Uithers në kabllogramin sekret vë theksin se Rama kishte kundërshtarë brenda partisë përsa i përket faktit që ai hezitonte të luftonte ashpër Berishën. Por kabllogrami bën fjalë për një periudhë të para 2008-s dhe duket se menjëherë pas zgjedhjeve krahu i “ashpër” fitoi të drejtë të përcaktonte politikat e PS-së, e cila ndërmori një seri të gjatë demonstratash e protestash në rrugë. Nga kabllogramet e mëvonshme, Uithers del mjaft i pakënaqur nga vendimet e PS-së për protesta pa një qëllim dhe kritikon hapur Ramën për këtë.
Edi Rama: Kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë?
(C) Takimi juaj me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, do të të japë mundësinë të takosh njeriun që mund të jetë Kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë. Gjatë dy viteve të fundit Rama ka punuar fort për të përmirësuar imazhin e partisë së tij në të gjithë vendin, duke shpresuar të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Rama dhe partia e tij kanë qenë mbështetës entuziastë të aspiratës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe njëkohësisht të një marrëdhënie të fortë me ShBA-në. Sidoqoftë, mjaft njerëz brenda partisë së Ramës janë bërë të padurueshëm rreth hezitimit të tij për t’u përplasur ashpër me Berishën rreth Gërdecit. Nga ana e tij Rama ka këmbëngulur që PS-ja duhet të punojë për ta mundur Berishën dhe PD-në në zgjedhje, dhe ka kundërshtuar përdorimin e demonstratave në rrugë apo të një mocioni mosbesimi në Parlament për t’i bërë presion Berishës. Me Ramën ju duhet të këmbëngulni për një kalim të shpejtë të Kodit Elektoral, kështu që Shqipëria të shmangë një vendimmarrje në panik të minutës së fundit, gjë që ka dëmtuar zgjedhjet e fundit dhe gjithashtu duhet (të merrni garanci) për rolin e partisë së tij për të siguruar zgjedhje të mira vitin që vjen.