E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, brenda një viti ndërtimi i Unazës së Tiranës



Qeveria “Berisha” premton se brenda një viti do të bëjë të mundur ndërtimin e unazës së re të Tiranës. Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje nisjen e procedurave për këtë projekt, shpalljen e tenderit ndërkombëtar dhe ndërtimin e unazës me koncesion. Për realizimin e kësaj vepre, z. Berisha kërkoi nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, z. Sokol Olldashi, që “brenda këtij viti të përgatitet tenderi ndërkombëtar për dhënien me koncesion të ndërtimit të Unazës së Tiranës”. Sipas Berishës, ndërtimi i kësaj unaze përbën një domosdoshmëri të madhe dhe se ky projekt madhor infrastrukturor do të realizohet në bashkëpunim me të gjitha qeveritë vendore, me atë të Farkës, të Dajtit, Paskuqanit, Kamzës, me qeverinë vendore të Tiranës, aty ku segmenti kalon në territorin e Bashkisë së Tiranës. Kreu i qeverisë informoi anëtarët e kabinetit se gjatë këtyre muajve, kompani ndër më seriozet kanë treguar interes të madh për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. “Krahu veriperëndimor dhe perëndimor i saj është jetik edhe për faktin se në dy vitet e ardhshme parashikohet të përfundojë Rruga e Arbrit, e cila do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, ashtu siç ndodhi me trafikun me ndërtimin e korridorit të kombit. Edhe kjo rrugë do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, që kësaj radhe bie direkt në Tiranë, tek Shkalla e Tujanit, Ura e Brarit”, - theksoi z. Berisha. “Ndërtimi i unazës, - shtoi ai, - ka një rëndësi shumë të madhe gjithashtu për Tiranën, si një nga qytetet me sipërfaqen rrugore më të vogël në Evropë dhe në botë”. Kryeministri përmendi faktin se në qoftë se standardi urbanistik është mbi 30 për qind sipërfaqe rrugore për qytetin, kryeqyteti i vendit ka gjithsej 14 për qind sipërfaqe rrugore. “Çka shprehet me vështirësi të jashtëzakonshme në rritje në trafik, shprehet me një prej ndotjeve më të larta nga automjetet, sepse Tirana nuk ka industritë e mëparshme që ta ndotin”, - deklaroi z. Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje se në ndërtimin e unazës, me gjatësi mbi 30 kilometra dhe e parashikuar me 8 korsi, me përparësi do të shihen dy segmentet më të rëndësishme të saj, me ndikim shumë të madh në trafik. "Unaza mund të shkojë edhe mbi 30 km dhe po të kemi parasysh se do të jetë me 8 korsi, kjo është një vepër shumë e madhe. 2 janë segmentet më nevralgjike në të cilat duhet të fillojnë më shpejt punimet: segmenti Ura e Brarit-Kthesa e Kamzës ose Ura e Limuthit, pasi nëse kalohet nga Ura e Limuthit, qyteti i Kamzës përfundimisht shmang çdo trafik kombëtar dhe ndërkombëtar. Segmenti tjetër është trajektorja që merr unaza në krahun e Saukut", - u shpreh z. Berisha. Sipas tij, do të studiohet trajektorja, sepse aty ku ka qenë, ajo nuk kalon dot më, pasi janë ndërtuar me dhjetëra pallate, kurse segmenti tek Shkolla Teknologjike është e vështirë të pranohet për unazë, pasi ky segment është bërë zemër e Tiranës. “Ndaj, duhet të studiohet me shpejtësi trajektorja dhe mund të zbritet edhe më poshtë, më drejt jugperëndimit. Faktikisht, një pjesë e trajektores, në një zonë të Farkës, është bërë e pamundur”, - pohoi Kryeministri Berisha. Duke nënvizuar se ky projekt kap vlera shumë të mëdha, Kryeministri tha se qeveria do të marrë përsipër riskun e trafikut. “Ne do t’i qëndrojmë kompanisë që e ndërton me zhdëmtim, në rast se trafiku i parashikuar dhe i përllogaritur nuk do t’i plotësohet. Ky përbën një kusht të favorshëm për angazhimin me koncesion të kompanive të mëdha në këtë vepër të madhe dhe shumë të rëndësishme për qytetin e Tiranës dhe mbarë vendin”, - theksoi Kryeministri.

Z. Berisha kërkoi masa të shpejta për përgatitjen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e Unazës së Tiranës, pasi, siç theksoi ai, ndërtimi i akseve si aksi i Jugut, i Rrugës së Arbrit e bëjnë këtë unazë shumë të domosdoshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›