Ujërat detare, korrespodenca Oketa-Pashaj: Eja të punojmë së bashku
Ministria e Mbrojtjes ka ftuar për bashkëpunim afro dy muaj më parë kolonelin në rezervë Mysym Pashaj përkundrejt pretendimeve të tij për paktin Shqipëri-Greqi për ujërat territoriale. Gazeta “standard” zbardh të plotë korrespodencën e kolonelit Pashaj drejtuar ish-ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Pashaj kërkon sqarime për paktin e nënshkruar mes dy qeverive, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes, përpos shpjegimeve, fton atë të japë mendimet e tij për marrëveshjen dypalëshe para se ajo të kalojë për ratifikim në Parlament. Z. Pashaj i është dërguar një letër përgjigje me datën 31.8.2009 nga ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili përmes nënkoloneles Suzana Jahollari i ka bërë të njohur bazën ligjore të nënshkrimit të marrëveshjes, por duke i dhënë mundësinë e sugjerimeve, nëse ai pranonte, para kalimit në Kuvend. Ish-ministri Oketa shkruan në letër: “Për sa u konsultuam me strukturat përkatëse për këtë problem, ju sqarojmë se nënshkrimi i projektmarrëveshjes dypalëshe midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë lidhur me delimitimin e hapësirave detare, mbi të cilat ushtrohet sovranitet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, buron nga neni 83 i Konventës së Montego-Bay të vitit 1982 (UNCLOS) në të cilën të dy shtetet janë palë”. Sipas tij, në formulimin e kësaj marrëveshjeje janë zbatuar rigorozisht parimet themelore të kësaj konvente.
“Në këtë marrëveshje, - shton më tej Oketa, - janë pasqyruar të drejta të tilla si ajo e sovranitetit shtetëror për qëllimet e shfrytëzimit të burimeve natyrore të shefit kontinental (article 77 UNCLOS), statuti i pasurive nënujore dhe hapësirës ajrore mbi të, gjendet i reflektuar dhe një parim tjetër shumë i rëndësishëm që është e drejta e kalimit paqësor (article 78 UNCLOS), artikulli i UNCLOS, i cili përcakton mënyrën e delimitimit të detit territorial midis dy shteteve që janë ballë për ballë ose fqinje si dhe kapitulli VI i saj ku trajtohet “Shelfi kontinental”. Ish-ministri i Mbrojtjes vë në dukje se kjo projektmarrëveshje është përgatitur nga një grup profesionistësh të fushës juridike, ushtarake dhe politike. “Projektmarrëveshja ende nuk ka kaluar për ratifikim në Parlament. Do të ishin me vlerë mendimet që mund të jepen nga ana juaj, në diskutimet që do të zhvillohen për këtë problem. Duke shprehur vlerësimin tonë maksimal si specialist i fushës përkatëse, jeni i mirëpritur të vini dhe të njiheni me praktikën e ndjekur për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje”, - përfundon letrën e tij ish-ministri Gazmend Oketa. Koloneli në rezervë, Myslym Pashaj, e quan antikombëtare marrëveshjen mes dy vendeve, ndërsa kritikon grupin e negociatorëve që, sipas tij, nuk dinin se çfarë po bënin, teksa i falnin Greqisë, zotërueses gjeografike më të madhe ujore në rajon, detin tonë historik.
Ushtarakët: Kufiri, i papërcaktuar, nuk dhuruam asgjë
Autoritetet e ushtrisë hedhin poshtë idenë se Greqisë i është dhuruar sipërfaqe ujore. Ata publikuan dje dy argumente kyçe që rrëzojnë faljen e ujërave detare. Në radhë të parë, sipas tyre, kufiri nuk ka qenë i përcaktuar që të thuhet se është dhuruar territor ujor dhe së dyti, në çdo aspekt teknik, përpilimi i vijës kufitare është bërë në bazë të konventave ndërkombëtare mbi ishujt dhe territoret ujore. Në daljen e parë publike, ushtarakët dhanë argumente, sipas të cilave pretendimet e ekspertëve të pavarur nuk qëndrojnë. Duke treguar një tjetër hartë nga ato që u janë dhënë shtypit nga ekspertët e pavarur, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gervenji, tha se pika fundore e kufirit nuk është ajo që i është dhënë deri te shtypi, por një tjetër, e cila është e baraslarguar nga të tria shtetet: Shqipëria, Italia e Greqia. Ushtarakët hodhën poshtë edhe pretendimin se ishujt e vegjël janë përdorur si pika fundore në mënyrë të padrejtë, pasi si e tillë duhej përdorur ishulli i Korfuzit.
Ata u shprehën se në bazë të konventave ndërkombëtare edhe ishujt kanë të njëjtin status si toka kontinentale, ndërkohë që në procesin e shenjimit të kufirit me të njëjtin status janë trajtuar edhe dy ishuj të vegjël në skajin më jugor të Shqipërisë, që i përkasin Republikës së Shqipërisë.
Pakti me Greqinë, Meta: Shtyrja e ratifikimit, shkak, transparenca
Qeveria shqiptare ka shtyrë ratifikimin në parlament të marrëveshjes së ujërave detare me Greqinë për t’i dhënë kohë transparencës ndaj publikut dhe klasës politike. Ilir Meta, kryetar i LSI-së dhe njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm në qeverinë “Berisha”, ndryshe nga sa pretendoi Kuvendi se shtyrja ishte një çështje teknike për shkak të rrallimit të seancave parlamentare, bëri dje të ditur se koha në dispozicion do të shërbejë për të bërë më shumë transparencë, kur sensibiliteti për këtë marrëveshje është rritur. “Çështja ka qenë në rendin e ditës të Kuvendit. Shtyrja e ratifikimit është bërë për t’u dhënë kohë të gjithëve që të jenë të bindur dhe të bërit sa më tepër transparent të procesit”, - theksoi Meta. Nga pozicioni i ministrit të Jashtëm, Meta fton të gjitha palët të shkojnë në Ministrinë e Jashtme dhe të ballafaqojnë mendimet dhe matjet e tyre duke garantuar dhe një herë se marrëveshja e detit me Greqinë ka qenë e domosdoshme dhe nuk i ka falur Greqisë asnjë milimetër hapësirë detare. “Kjo është marrëveshje e domosdoshme sepse vetëm përmirëson përcaktimin e këtij kufiri. Absolutisht që ndarja është bërë në interesin e Shqipërisë sikurse edhe të Greqisë në paritet të plotë”, - u shpreh ministri i Jashtëm.
Sfondi historik i marrëveshjes Greqi-Shqipëri
Shqipëria dhe Greqia, si dy vende fqinje bregdetare, nuk kanë përcaktuar asnjëherë më parë kufijtë detare ndërmjet tyre. Protokolli i Firences i 26 korrikut 1926 përcakton vetëm kufirin tokësor. Në vitin 1993, një vit pas negocimit të marrëveshjes për përcaktimin e shelfit kontinental me Italinë, më saktë më 9 prill 1993, gjatë takimit të komisionit miks shqiptaro-grek, nga zv.ministri i atëhershëm shqiptar i Jashtëm i është propozuar palës greke të bëhej një marrëveshje për ujërat e përbashkëta dhe shelfin kontinental. Pala greke nuk dukej të ishte e përgatitur të bënte të njëjtën gjë. Ky problem është ngritur nga po zv.ministri edhe në qershor 1993, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes dy MPJ-ve, por pala greke nuk ka kthyer asnjëherë përgjigje dhe nuk tregoi asnjëherë ndonjë interes. Edhe ish-kryeministri Meksi, në maj 1993, e ka ngritur si problem, por përsëri qëndrimi i palës tjetër nuk ka ndryshuar. Nuk ka prova që kjo çështje të jetë diskutuar më pas. Kjo situatë ka vazhduar deri në vitin 2006. Kërkesa e palës greke për t'u angazhuar në këtë ushtrim erdhi pas publikimit në një të përditshme shqiptare të një harte që përcaktonte vendin se ku po kërkohej naftë në det, nga një kompani e huaj e licencuar nga qeveria shqiptare, Medoil. Me pretendimin se po kërkohej të shfrytëzohej në një territor, i cili, sipas përllogaritjeve greke, gjendet në një hapësirë detare që koinçidon me atë që do të ishte vija mediane, nëse do të ishte ndarë hapësira detare, pala greke kërkoi, që në bazë të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Detin, UNCLOS, në të cilën të dy vendet janë palë, të angazhoheshim në negocimin e shelfit kontinental dhe hapësirave përkatëse ujore. Duke mos parë ndonjë kundërshtim për t'u angazhuar në një ushtrim që pala jonë e ka kërkuar vite më parë, është krijuar, me urdhër të Kryeministrit, grupi ndërinstitucional i punës me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Drejtësisë, Institutit të Hidrografisë Ushtarake, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës etj. Kësisoj, bisedimet mund të konsiderohen se janë zhvilluar në harkun kohor 2006-2009. Gjatë kësaj kohe janë bërë përgatitjet e nevojshme për bisedime, janë zhvilluar disa raunde bisedimesh në Tiranë dhe Athinë, ka pasur një shkëmbim të përhershëm informacioni mes të dyja palëve, është diskutuar në takime të drejtpërdrejta apo në distancë për të harmonizuar gjuhën e tekstit të marrëveshjes, ashtu dhe për të bërë matjet e nevojshme, për t'i shkëmbyer, krahasuar, verifikuar, rishkëmbyer, riparë, rikrahasuar e kështu me radhë deri në përcaktimin e koordinatave të sakta e që do të sanksiononin arritjen e marrëveshjes.
Parimet mbi të cilat janë zhvilluar bisedimet
Janë mbi 150 shtete nga 192 që ka OKB-ja, të cilat e kanë nënshkruar apo ratifikuar Konventën. Shqipëria është bërë palë në vitin 2003. Përcaktimi i shelfit kontinental mes vendeve është një ushtrim që është bërë rëndom nga shumë vende në rastin kur, për arsye të ndryshme, u është dashur të përcaktojnë kufijtë detarë. Sipas ish-kryenegociatorit të palës shqiptare, Ferit Hoxha, në bazë të qëndrimit tonë, ashtu si edhe në marrëveshjen me Italinë, ka qëndruar shprehja e vullnetit politik për zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta përfshirë edhe ato delikate e të ndjeshme, si ndarja e kufijve, me anë të marrëveshjeve, duke u bazuar në respektin për të drejtën ndërkombëtare dhe në interes të forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Të dy shtetet janë palë në Konventën e Montego-Bay për të Drejtën e Detit, e cila njihet dhe si "Kushtetuta e Deteve" - UNCLOS - dispozitat e së cilës kanë qenë udhërrëfyese të këtyre bisedimeve. Palët vinin në takim nga eksperienca të mëparshme të ngjashme, marrëveshja për ndarjen e shelfit kontinental me Italinë e përfunduar nga pala greke në vitin 1977, ndërsa nga ana jonë po me Italinë në vitin 1992. Përcaktimi i kufirit detar me Greqinë është me rëndësi dhe interes të dukshëm për Shqipërinë, pasi është i lidhur natyrshëm me sovranitetin shtetëror, por ka rëndësi edhe për sa u përket fushave të lundrimit, të peshkimit, të çështjeve mjedisore, shfrytëzimit të nëntokës apo kërkimeve shkencore, shfrytëzimi i të cilave kërkon përcaktime të sakta juridike dhe gjeografike. Procesi i bisedimit nuk ka qenë as i lehtë e as diçka rutinë! Ekipi shqiptar ka funksionuar i mbledhur në permanencë; ka organizuar me dhjetëra e dhjetëra takime pune; ka pasur momente të vështira; ka pasur diskutime të shumta, shpeshherë debate me orë të tëra me palën greke: shkëmbime informacioni sipas nevojës për të qartësuar pozicionet dhe qëndrimet, por gjithnjë të bazuara mbi një dialog të pandërprerë me dëshirën e mirë për të arritur një marrëveshje të mirë, të ndershme në bazë të një ndarjeje të barabartë në përputhje me kuadrin ligjor ndërkombëtar. Nuk ka asnjë dyshim se marrëveshja përfaqëson një moment me rëndësi në marrëdhëniet mes dy vendeve. Është folur për takime të fshehta, për mungesë transparence, për mungesë hartash etj. Aktiviteti diplomatik, në mënyrë të veçantë procesi i negocimit, ka specifikën e tij dhe përmbajtja e aksioneve të tilla është natyrshëm gjithnjë e rezervuar. Kushdo që ngatërron natyrën e aktivitetit diplomatik me fshehtësinë, ka thjesht një kuptim të cekët për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mënyrën e zhvillimit të tyre. Nuk ka absolutisht asnjë lloj mungese transparence, pasi gjithçka është herë publike në momentin e duhur. Teksti i marrëveshjes, para se të nënshkruhej, u është dërguar për miratim disa ministrive, përveç miratimit që i është bërë më pas në qeveri.