E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në PD, Oketa: Deputetët, lidershipi i ri i partisë



Më shumë kohë fizike, më pak impenjime politike, por i njëjti përkushtim pune, sepse është pjesë e rëndësishme e grupit parlamentar të PD-së. Gazmend Oketa, ish-ministër i Mbrojtjes në këtë intervistë për “standard” bën një pasqyrë të qartë të politikës aktuale në vend, flet për situatën parazgjedhore në PD, por pa shmangur debatin më delikat të ditëve të fundit, atë të paktit Shqipëri-Greqi për ujërat territoriale. Në gjykimin e tij, kjo është një marrëveshje e cila në planin politik duhej realizuar, si për shkak të angazhimeve që lindin nga konventat ndërkombëtare, ashtu dhe për të përcaktuar me fqinjët tanë se ku janë kufijtë detarë të gjithsecilit. Deputeti i Durrësit ndalet tek zgjedhjet e afërta në PD, ato të 12 dhjetorit, nga ku përmend dhe një analizë reale brenda partisë.

“Është një gjë krejt normale që një forcë politike të bëjë një analizë të punës së saj dhe të ketë zgjedhje brenda saj. Më tepër sesa një analizë të hollësishme, besoj se duhet një analizë realiste. Zgjedhjet që sapo kaluam, ishin një eksperiencë e re, nisur dhe nga sistemi zgjedhor që u aplikua mendoj se duhen analizuar me kujdes”, - shprehet ai. Z. Gazmend Oketa mendon se lista e kandidatëve që PD-ja paraqiti në zgjedhjet e 28 qershorit, duhet të bëhet pjesë e strukturave të partisë. Sipas tij, grupi parlamentar i PD-së është i përbërë nga deputetë të cilët përfaqësojnë një spektër të gjerë të mbështetësve të kësaj partie. Pa dashur t’i konsiderojë qëndrestarët si mbartës të një fryme të vjetër, Oketa thotë se orientimi i çdo force politike drejt të resë beson se duhet të mbetet një prioritet i vazhdueshëm, por ky orientim duhet të jetë drejt mendimit të ri dhe jo thjeshtë drejt moshës së re.

Bisedoi: Valentina Madani

Z. Oketa, pas 4 vjetësh bashkëqeverisje, nuk jeni pjesë e kabinetit. Kujtoj ardhjen tuaj fillimisht si zëdhënës i PD-së, më pas si zv.kryeministër dhe për rreth 1 vit e gjysmë si ministër i Mbrojtjes në një nga momentet më të vështira të këtij institucioni, atë të Gërdecit. Por tashmë gjendeni jashtë kabinetit “Berisha 2” dhe thjesht një deputet i PD-së. Më falni që shprehem kështu, por ngjani si një “i papun딅

(Qesh) Së pari dua të theksoj se në këndvështrimin politik, si anëtar i grupit parlamentar të PD-së, unë akoma jam pjesë e bashkëqeverisjes. Së dyti, lënia jashtë kabinetit apo përfshirja në të, është çështje e cila varet nga Kryeministri dhe jo nga ministrat. E rëndësishme për mua është se mandati i qeverisë në të cilën bëja pjesë, përfundoi me sukses dhe ndihem mirë që kam qenë pjesë e këtij suksesi. Për mua personalisht, nuk ka rëndësi sa herë ulesh në karrigen e ministrit, por ka rëndësi se si ulesh dhe me sa përkushtim e dinjitet ti bën atë detyrë dhe me ç’vlerësim largohesh prej saj. Kam pasur privilegjin, por dhe përgjegjësinë të jem pjesë e qeverisë në momentet tepër të rëndësishme për vendin. Kam drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes vërtet në një nga momentet më të vështira të këtij institucioni, por nga ana tjetër, në momente tepër të rëndësishme për vendin. Anëtarësimi në NATO ishte një objektiv madhor dhe ndihem mirë që kam drejtuar këtë ministri në të tilla momente e që kam kontribuar në realizimin e këtij objektivi.

Një kabinet i ri qeveritar në karriget e të cilit është ulur edhe LSI-ja. A e ndëshkoi vetveten PD-ja në këtë rast, duke i dhënë asaj qershinë e tortës së pushtetit?

Kabineti i ri është kabineti i integrimit dhe sigurisht i dëshiroj dhe i uroj shumë sukses në përmbushjen e objektivit tjetër madhor të Shqipërisë, atë të anëtarësimit në BE, kurse bashkëqeverisjen PD-LSI e shoh si të vetmen zgjidhje pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Shumë shpejt në Partinë Demokratike do të ketë zgjedhje të strukturave të saj. Si e shikoni situatën parazgjedhore të demokratëve dhe a mund të shmanget më tutje një analizë brenda PD-së, pse jo dhe leximi i hollësishëm i votës së 28 qershorit?

Është një situatë që nuk ka nevojë të komentohet gjatë. Është një gjë krejt normale që një forcë politike të bëjë një analizë të punës së saj dhe të ketë zgjedhje brenda saj. Më tepër sesa një analizë të hollësishme, besoj se duhet një analizë realiste. Zgjedhjet që sapo kaluam, ishin një eksperiencë e re dhe nisur nga sistemi zgjedhor që u aplikua, mendoj se duhen analizuar me kujdes.

A duhen ndryshime të thella në PD? Drejt cilave kapacitete do të orientohet partia në pushtet më datën 12 dhjetor, ditë kur do të mbahet kuvendi i saj?

Mendoj se lista e kandidatëve që PD paraqiti në zgjedhjet e 28 qershorit, i jep përgjigjen më të mirë kësaj pyetjeje dhe tregon dhe orientimin e saj. Grupi parlamentar i PD-së është i përbërë nga deputetë të cilët përfaqësojnë një spektër të gjerë të mbështetësve të PD-së. Nga ana tjetër, personalisht, nuk i konsideroj qëndrestarët si mbartës të një fryme të vjetër. Orientimi i çdo force politike drejt të resë besoj se duhet të mbetet një prioritet i vazhdueshëm, por ky orientim duhet të jetë drejt mendimit të ri dhe jo thjesht drejt moshës së re.

Z. Oketa, ju e morët detyrën e drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes në momentin më të vështirë, kur shumë të tjerë edhe mund të tërhiqeshin. Mos ishte kjo një sfidë apo një moment për të përfituar politikisht?

Unë mendoj se marrja e përgjegjësive, përballimi i momenteve delikate duhet të jetë një detyrim moral i cilitdo politikani. Unë e kam pranuar pozicionin e ministrit të Mbrojtjes me bindje të plotë dhe pavarësisht momenteve të vështira, kur m’u propozua, e kam konsideruar dhe vazhdoj ta konsideroj si një vlerësim që më është bërë. Unë vija nga pozicioni i zëvendëskryeministrit dhe nuk besoj se kisha nevojë për përfitime politike. Personalisht, më pëlqen të përballem me punë të cilat kanë sfidë brenda tyre dhe ndihem mirë, duke besuar se e kam kapërcyer me sukses këtë moment.

Gërdeci do të përmendet gjatë si një nga shembujt më të vështir për t’u menaxhuar, ndërsa çështja e demontimit mbetet ende një nga pikat kyçe të institucionit të mbrojtjes. Çfarë është bërë në këtë drejtim?

Çështja e demontimit, pas angazhimeve në funksion të anëtarësimit në NATO, ka përbërë prioritetin tjetër të punës sime si ministër Mbrojtjeje. Shkurtimisht, mund t’ju them se së pari janë saktësuar procedurat e këtij procesi. Janë bërë funksionale të tria fabrikat që administron Ministria e Mbrojtjes, Poliçani, Mjekësi dhe Gramshi, si dhe ka vazhduar asgjësimi në poligonet e miratuara me ligj nga Kuvendi. Procesi i demontimit tashmë ecën normalisht dhe jam i bindur se shpejt rreziku që vjen nga municionet e tepërta, do të jetë minimizuar.

Një muaj më parë, me shumë qytetari i dorëzuat detyrën z. Arben Imami. Fillimi i tij është i mbarë në krye të mbrojtjes shqiptare?

Dorëzimin me qytetari të detyrës e konsideroj një detyrim dhe një gjë tejet normale. Është ende herët për të gjykuar për punën e një ministri, i cili sapo ka marrë detyrën, por sido të jetë, edhe pas katër vitesh, në asnjë rast nuk më takon mua të komentoj apo gjykoj punën e pasardhësit. Për sa unë e njoh z. Imami, shpreh bindjen se do të jetë një ministër Mbrojtjeje i suksesshëm.

Këto ditë po përflitet shumë marrëveshja detare për ujërat shqiptare. Shumë zhurmë për asgjë apo kësaj i thonë “duaje armikun tënd, derisa ta çmendësh fare”?

Është e vërtetë se po flitet shumë, aq sa krijohet përshtypja se cilido me apo pa njohuri mund të japë opinione lidhur me këtë çështje. Disa rendin të dalin më patriotë apo kufidashës se të tjerët. Sigurisht, është një çështje tepër e rëndësishme e sensitive. Kjo është një marrëveshje, e cila në planin politik duhej realizuar, si për shkak të angazhimeve që lindin nga konventat ndërkombëtare, ashtu dhe për të përcaktuar me fqinjët tanë se ku janë kufijtë detarë të gjithsecilit. Debati i cili zhvillohet, kryesisht zhvillohet në nivel teknik e juridik, pasi nuk besoj se në parim kjo marrëveshje do të kishte kundërshti apo kundërshtarë.

Në cilën fazë ishin bisedimet mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke kur ju drejtonit Ministrinë e Mbrojtjes?

Di t’ju them se gjithçka është realizuar mbas një pune serioze, të përgjegjshme e disavjeçare të një grupi pune ndërministror. Duke bërë sikur respektohet shumë mendimi i atyre të cilët tashmë janë në pension, po harrohet dhe nuk po respektohet mendimi i atyre të cilët kanë punuar për këtë marrëveshje. Është për të ardhur keq që dhe për një çështje të tillë, theksoj vërtet shumë të rëndësishme, por dhe me interes për t’u zgjidhur, opozita tenton të krijojë tensione e debate për përfitime politike e jo në interes të çështjes.

Ju tani jeni anëtar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar. A mendoni se çështja e marrëveshjes detare që opozita po e dërgon në kushtetuese mund të prekë edhe politikën e jashtme shqiptare me Greqinë që po përflitet?

Nuk besoj absolutisht se lëvizjet e opozitës do të ndikojnë në marrëdhëniet me Greqinë. Do të kishte problem dhe do të ishte mungesë serioziteti nëse qeveria do të lëvizte nga pozicioni i saj, pasi kjo është një marrëveshje ndërmjet qeverive. Opozita e çdo vendi, qoftë dhe ajo greke, në çdo rast tenton të krijojë pështjellime politike në vend, por nuk besoj se është ky rasti apo mundësia më e mirë që ka zgjedhur opozita shqiptare. Unë përsëri dua të theksoj se mirëkuptoj shqetësimin apo merakun e cilitdo, qoftë dhe qytetari më i thjeshtë, por jo të opozitës apo deputetëve të saj, të cilët kanë çdo mundësi të njihen me të gjithë dokumentacionin dhe procedurat e ndjekura deri në hartimin e kësaj marrëveshjeje.

Z. Oketa, si mund të bëhet jeta parlamentare pa opozitën në Kuvend?

Ne vazhdojmë ta ftojmë atë që të zërë vendet e saj në Kuvend. Për sa kohë opozita qëndron jashtë Parlamentit, të gjitha lëvizjet e saj gjykoj se mund të konsiderohen lëvizje boshe. Vendi kryesor ku një opozitë zhvillon debatin dhe aksionin e saj politik, është salla e Parlamentit. Bojkoti është një mjet demokratik, është një mjet i përdorur dhe nga PD-ja, por absolutisht në kushte të tjera. Me sa duket, në politikë z. Rama nuk di të nxjerrë mësime nga gabimet e të tjerëve. Unë besoj se sa më shpejt opozita të kthehet në Parlament, aq më kuptim do të kenë dhe lëvizjet e saj politike, aq më mirë secila nga palët do të bëjë detyrën e saj dhe aq më mirë do t’u shërbehet interesave të qytetarëve dhe të vendit.

Dhe kutitë e votimit nuk do të hapen…?

Kutitë e votimit të cilat duheshin hapur apo numëruar në KQZ, janë hapur e numëruar. Më pas, nëse do të fillojmë dhe një herë numërimin, gjithçka do të kthehej në një serial të pakuptimtë dhe vetëm në funksion të një kapriçoje politike të z. Rama, i cili ka pasur në çdo grup numërimi minimalisht dy përfaqësues. Z. Rama i humbi zgjedhjet dhe qëndrimi apo jo në krye të PS-së është çështje e tij dhe e PS-së dhe nuk duhet të baltosë zgjedhjet, të cilat ishin absolutisht korrekte. Vendi nuk mund të mbahet peng vetëm për shkak të pozicionit të z. Rama brenda PS-së. Si kudo dhe në politikë duhet të dish edhe të humbasësh. Fatkeqësisht për opozitën dhe për vendin, z. Rama e mendon ndryshe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›