E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujërat e zeza, bashkia vendos të shembë 10 ndërtime

29/04/2010 Banorët e “Salo Halilit” në prag epidemia, kanalizimet të bllokuara nga ndërtimet pa leje

SHKODER- Banorët e lagjes “Salo Halili” të qytetit të Shkodrës kanë dërguar një peticion pranë Bashkisë së Shkodrës me anë të të cilit kërkojnë ndërhyrjen sa më parë për zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza. Sipas banorëve, prej shumë javësh është kërkuar nga Ndërmarrja e Ujësjellësit që të ndërhyhet për mënjanimin e daljes së ujërave të zeza në territorin para pallateve, por deri tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje.

Ujërat e zeza

Tashmë me rritjen e temperaturave era e keqe ka mbizotëruar në tërë këtë lagje duke e vështirësuar jetesën normale për banorët. Ndërkohë prindërit janë munduar të mbajnë brenda banesave fëmijët, për t’i shpëtuar rrezikut të ndonjë sëmundjeje nga ujërat e zeza që ndodhen në sipërfaqe. Njëkohësisht banorët e lagjes “Salo Halili” kanë kërkuar dhe ndërhyrjen e institucionit të shëndetit publik për të ndërhyrë me kompetencat e veta në drejtim të mbajtjes pastër të ambientit dhe ndërhyrjen për largimin dhe bllokimin e daljes së ujërave të zeza mbi sipërfaqe. Nga ana e saj Bashkia e Shkodrës ka kontaktuar me drejtuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit Shkodër për të gjetur shkaqet e kësaj situate, si dhe për të parë mundësitë e ndërhyrjes deri në eliminimin e plotë të daljes së ujërave të zeza në territorin e pallateve të lagjes “Salo Halili”. Drejtuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve kanë bërë të ditur se problemi është verifikuar në vend, ku dhe është konstatuar se ujërat e zeza dalin në sipërfaqe për shkak se janë bllokuar kanalizimet nga ndërtimet pa leje. Drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje kanë theksuar se janë të gatshëm të ndërhyjnë për riparimin e zëvendësimin e tubacioneve të ujërave të zeza të kësaj lagje, nëse Bashkia merr përsipër shembjen e ndërtimeve pa leje që janë mbi kanalizime. Duke marrë parasysh problemin që është krijuar në lagjen në fjalë si dhe nisur nga kërkesa e vetë banorëve specialistët e Bashkisë së bashku me ata të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve kanë verifikuar në terren ndërtesat që janë të ndërtuara mbi kanalizimet e ujërave të zeza në lagjen “Salo Halili”. Gjatë verifikimit u konstatuan se mbi kanalizimet e ujërave të zeza të kësaj lagjeje janë ndërtuar 10 ndërtesa pa leje, pjesa më e madhe e të cilave janë njësi tregtare dhe garazhe. Pas këtij verifikimi Bashkia e Shkodrës ka marrë vendim për shembjen e këtyre ndërtimeve në mënyrë që të hapet rrugë riparimit të kanalizimeve të ujërave në lagjen “Salo Halili”. Njëkohësisht Bashkia e Shkodrës ka vendosur dhe hartimin sa më parë të një projekti për gjelbërimin e territorit para pallateve, në mënyrë që të krijohet një ambient sa më i këndshëm për banorët e kësaj lagjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›