Ujërat e zeza problematike për lagjet e mbipopulluara
Gjirokastër- Dëmtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, në disa prej zonave të qytetit të Gjirokastrës, vazhdon të jetë shqetësues për banorët. Në disa prej lagjeve, shpërthimi i ujërave të zeza në ambient të hapur, ka krijuar probleme në jetën e përditshme të banorëve. Një prej lagjeve më të mbipopulluara në qytetin e Gjirokastrës, Kodra e Shtufit ballafaqohet me problematikën e vërshimit të ujërave të zeza në mjedis të hapur. Si shkak i rritjes së fluksit të ndërtimeve të reja, mungesës së rrjeti të rregullt të kanalizimeve apo dëmtimeve të rrjetit ekzistues, ujërat e zeza në këtë zonë të qytetit vërshojnë përgjatë rrugëve, apo në hapësirat mes pallateve të banimit. “Gjithë lagja kundërmon erë të rëndë, si shkak i ujërave të zeza madje nuk guxojmë të hapim as dritaret për të ajrosur shtëpinë”, thotë Dëfrime Bala, një prej banoreve të kësaj lagje. Fluksi i madh i ndërtimeve në këtë zonë të qytetit ka bërë që Kodra e Shtufit të jetë një ndër zonat e mbipopulluara. Por në disa raste, sipas banorëve, këto ndërtime nuk shoqërohen me rrjet të rregullt të kanalizimeve, duke bërë që ujërat e zeza të vërshojnë në hapësirat mes pallateve. “Na mbyti pisllëku. Nuk ke ku hedh këmbën, pasi ujërat e zeza janë në mes të rrugës”, thotë banori i lagjes Diftir Leka. Ndërkohë edhe rrjeti aktual i kanalizimeve të ujërave të zeza në këtë zonë paraqitet tejet i dëmtuar. Sipas banorëve, specialistët e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve kanë ndërhyrë disa herë për të shmangur këtë problematikë, por sërish rrjeti i kanalizimeve dëmtohet në pjesë të tjera. Sipas stafit teknik të ndërmarrjes, me të ardhurat e saj mund të kryhen vetëm ndërhyrje të vogla për eliminimin e defekteve të ndryshme, ndërkohë që rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza në lagjen Kodra e Shtufit, ashtu si dhe në zona të tjera të qytetit të Gjirokastrës, ka nevojë për ndërhyrje kapitale dhe zbatimin e projekteve për rikonstruksionin e përgjithshëm të kanalizimeve. B.SH.