Denoncimi: Si më morën 2 milionë lekë për të më nxjerrë djalin nga burgu
Korçë- Procedohet botuesi i gazetës “Komunitete”, i mori 2 milionë lekë familjarëve të një të dënuari për lirinë e të birit. Botuesi i gazetës “Komunitete”, i mbyllur pak kohë më parë dhe që ka përfunduar në pranga, disa ditë më parë në qytetin e Beratit, nuk mund të mbetej jashtë kallëzimeve edhe në rajonin e Korçës. Burime të policisë lokale në këtë qytet kanë bërë të ditur se ka filluar procedimi penal ndaj shtetasit Moisi Çunaj, banor i kryeqytetit, i cili ka marrë një shumë prej 2 milionë lekësh, një familje në fshatin Kamenicë të rrethit të Korçës. Premtimi për këtë shumë të dhënë ka qenë se do t’i lironte djalin shtetases E.M. 67 vjeçare, e cila ka kërkuar ndihmën te gazeta në fjalë, madje ka dalë edhe me një intervistë në këtë gazetë.
Denoncimi
Kallëzimi për shtetasin e lartpërmendur ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë në Korçë gjatë mbrëmjes së kaluar. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Çunaj do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale të “Mashtrimit”, ndonëse është ndaluar disa ditë më parë nga komisariati i Beratit. Burime nga policia e juglindjes kanë bërë të ditura për gazetën se ndërsa ka filluar hetimi për të lartpërmendurin ka dhe disa sinjalizime për ngjarje të ngjashme nga punonjësit e kësaj gazete në Korçë. Të njëjtat burime nuk bëjnë të ditura emrat, ndërsa mësohet se shumë prej të interesuarve, që kishin të afërm në burg, i drejtoheshin gazetës në fjalë duke marrë premtimin nga stafi i kësaj gazete se do të fitonin lirinë, pas shkrimeve që publikoheshin në këtë gazetë. Mësohet se procedura e ndjekur për këtë abuzim ishte shkrimi i zgjeruar në gazetë, që kishte si ide shfajësimin e personit që vuante dënimin. Familjarët, të gjendur përballë alternativës së lirisë së premtuar nga gazetarët, ose së paku për lehtësimin e dënimit, nuk nguronin të jepnin shuma të majme. Ky ishte kyçi i “suksesit” të gazetës “Komunitete”, për të cilën janë shfaqur raste abuzimesh në masë. Në Drejtorinë e Policisë në Korçë është denoncuar një rast ku është dhënë një shumë e konsiderueshme nga shtetasja me inicialet E.M, 67-vjeçare, banore e fshatit Kamenicë. Gruaja ka dorëzuar shumën e 2 milionë lekëve, pas shkrimit që i është botuar në gazetë, ndërsa ka pritur që djali i saj, i dënuar, të fitonte lirinë sa më parë të ishte e mundur. Asgjë nuk ka ndodhur, teksa lajmi për ndalimin e Çunajt pak ditë më parë, ka nxitur dhe denoncimet e para në Korçë. Gazeta në fjalë kishte një veprimtari të dendur në rajonin e Korçës, edhe për shkak të numrit të të dënuarve që gjenden në burgun e Drenovës në këtë zonë.
Arrestimi
Tri ditë më parë u arrestuan Moisi Çunaj, 46 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “mashtrim”, Drejtor Ekzekutiv i “Shoqërisë mediatike kombëtare Komunitete” dhe Ramadan Baho, 53 vjeç, me detyrë Drejtor Rajonal i “Shoqërisë mediatike kombëtare Komunitete”. Arrestimi i këtyre dy shtetasve është bërë pas një investigimi 3-mujor, të kryer nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë e këtij rrethi, në kuadër të të cilit është arritur të bëhet dokumentimi i mashtrimeve të shumë qytetarëve prej këtyre shtetasve.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit Moisi Çunaj dhe Ramadan Baho, nëpërmjet “Shoqërisë mediatike kombëtare komunitete“ dhe Gazetës Komunitete kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm nëpërmjet Zyrave Rajonale të vendosura në disa rrethe, përmes premtimeve për ushtrim ndikimi të paligjshëm punësimi, si dhe për ndërmjetësim për lirimin e të dënuarve nga burgu.