Banorët nuk kanë marrë dëmshpërblimin e përmbytjeve
Shkodër- Banorët e zonave të përmbytura, në dhjetor të vitit të kaluar, në rrethin e Shkodrës, akoma nuk kanë marrë dëmshpërblimin e premtuar. Sipas banorëve, ndonëse u bë e ditur se proceduarat kanë përfunduar dhe pritej vetëm lëvrimi i fondeve nga qeveria, kjo akoma nuk ka ndodhur. “Jemi në pritje, por askush nuk thotë se kur do marrim paratë. Jemi interesuar në prefekturë e qark, po na kanë thënë se puna e tyre ka përfunduar dhe se tani është shteti ai që do i kalojë paratë te posta, siç ka ndodhur dhe një vit më parë, ku morëm paratë e përmbytjeve të janarit. Ne duam të mbjellim, pasi është koha e duhur dhe kemi planifikuar që me ato lekë që do na jepen, të kryejmë shërbimet e duhura. Kjo vonesë po na dëmton kudo”, shprehet Palokë Kola, banor i Dajçit, i cili shton se tre herë ka ardhur në Shkodër tek prefektura, për të pyetur për lekët që do marrin. Të tjerë banorë shprehen se dhe pse uji është larguar, pasojat janë të pranishme pasi lagështira është e pranishme ndërsa pamundësia ekonomike ka bërë që mjaft prej tyre, as të kenë mundësi të lyejnë banesat. Vitore Lleshi, banore te Livadet, thotë se “banesën e saj nuk ka mundur as ta lyejë, pasi nuk ka mundësi ekonomike dhe pret paratë e kompensimit të demit që ta bëjë këtë”. “Kemi ndezur zjarr gjithë kohës, që të mund të thanim muret. Ka rënë suvatimi dhe lagështira është akoma. Pres paratë e dëmshpërblimit për të rregulluar suvatimet, rrjetin elektrik dhe lyer banesën”, shprehet ajo. Në zyrat e Albapostës në Shkodër, mësohet se akoma nuk është lëvruar asnjë shumë për banorët e prekur nga përmbytjet dhe se ato janë në pritje. “Vijnë mjaft të interesuar që pyesin për lekët. Ne i kalojmë menjëherë sa të vijnë, duke bërë dhe lajmërimet përkatëse, por deri tani nuk ka ardhur asgjë“, shprehen punonjësit e këtij filiali në Shkodër. D.K.