Djali vret të atin, arrestohet dy vjet pas krimit
LEZHË- Janë dashur dy vjet që policia e Lezhës të gjejë dhe arrestojë autorin e vrasjes së Lekë Bibës me origjinë nga Kashnjeti i Lezhës dhe banim në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, mësohet se është arrestuar dje në orën 18.00, nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit, 21-vjeçari Shkëlzen Biba, lindur në fshatin Kashnjet të rrethit Lezhë dhe banues në Lagjen “Kongresi i Përmetit” në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, mësohet se para arrestimit të 21-vjeçarit për zbulimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Shkëlzen Biba në atë kohë 18 vjeç, ka vrarë me mjete të forta babin e tij Lekë Bibën, ngjarje kjo e ndodhur më 28 dhjetor 2009, në vendin e quajtur Ura e Matit në fshatin Shënkollë të rrethit Lezhë. Ndaj Shkëlzen Bibës policia e Lezhës ka ngritur akuzën për veprën penale të “Vrasjes me paramendim në bashkëpunim”.
Vrasja
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, krimi i rëndë ka ndodhur rreth mesnatës së 28 dhjetorit të vitit 2009, në aksin Milot-Tiranë, kur Lekë Biba, 45 vjeç, banues në kryeqytet prej disa vitesh, u gjet i vdekur në afërsi të lumit Mat, pak metra larg makinës me targa TR6898F. Pak orë pas krimit policia e Lezhës shoqëroi në polici Shkëlzen Bibën, i cili po udhëtonte me të atin. Gjatë marrjes në pyetje në atë kohë Shkëlzen Biba është shprehur para grupin hetimor versionin e tij për ngjarjen, ku sipas tij “gjatë rrugës për në Tiranë kanë hipur në makinë edhe tre persona të tjerë dhe në rrugë e sipër, ata e kishin goditur me leva dhe mjete të tjera të mprehta të atin, duke e hedhur më pas në lumin Mat. Në atë kohë djali i tij Shkëlzeni ka vijuar rrëfimin para hetuesve se “tre persona të panjohur, e kanë marrë në telefon gjatë udhëtimit nga Lezha për në Tiranë”. Familja Biba prej disa vitesh ishte shpërngulur nga Shkodra për në kryeqytet. Takimi është lënë në urën e Milotit, pak metra larg vendit të krimit. Sipas Shkëlzenit të tre personat pasi kanë hipur në makinë, ata kanë detyruar Lekë Bibën të ecte për disa metra dhe gjatë rrugës një prej tyre ka qëlluar 45-vjeçarin me levë në kokë, duke bërë që ai të humbasë drejtimin e makinës dhe të përfundojë në lumë. Por Shkëlzeni në atë kohë nuk ka arritur të shpjegojë rrethanat e mëtejshme të ngjarjes dhe faktin përse autorët nuk e kanë sulmuar edhe atë e megjithatë ai u la i lirë”.
Arrestimi
Duke mbledhur analizat shkencore, përgjimet, hetimet e bëra pas momentit të arrestimit të djalit të viktimës, policia ka arritur në konkluzionin përfundimtar që djali ka vrarë të atin, ndërkohë që policia nga hetimet e kryera deri tani dyshon se Shkëlzen Biba është ndihmuar edhe nga persona të tjerë, të cilët pritet të dalin nga hetimi e më pas të arrestohet. “Po kështu, nga këqyrja e kufomës, si dhe mjetit të tij, janë gjetur gjurmët e nevojshme që implikojnë të birin në vrasjen e të atit”, bëri të ditur policia e Lezhës. Policia shprehet me rezerva për shkaqet e krimit, ndërkohë pista kryesore mbetet një konflikt i ndodhur që në momentin e nisjes nga Shkodra të viktimës Lekë Biba me djalin e tij Shkëlzen Biba.