E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukes rritja e prodhimit ul cmimet ne tregje

Çmimet e produkteve bujqësore në tregun e qytetit të Kukësit kanë pësuar një rënie të ndjeshme. Sipas vëzhgimeve të bëra si dhe konfirmimit nga vetë tregtarët apo konsumatorët, rënie më të ndjeshme kanë pësuar perimet dhe frutat të cilat vetëm pak ditë më parë kishin një kosto relativisht të lartë.

Tregtarët shprehen se shkak është hyrja e prodhimit vendas, që ka cilësi më të mirë, si dhe importimi në sasi të konsiderueshme edhe nga jashtë.

“Krahasuar me periudhën e mëparshme kanë shënuar rënie, si bulmeti edhe zarzavatet. Këtu ndikon shumë prodhimi i vendit. Vetëm molla që vjen nga importi nuk preket”-thotë një tregtar.

Ndërsa për konsumatorët, e rëndësishme është që çmimet kanë rënë dhe tashmë do kenë mundësi që të konsumojnë akoma më shumë dhe të ushqehen edhe më mirë.

“Janë më të ulëta se më parë. Janë të freskëta. Domatet, kastravecat, specat kanë rënë në një çmim më të ulët. Kanë qenë 1200, 1500. Tani janë 400. Atje janë tre kilogramë 1000 lekë”-thotë një blerës.

"Të them të drejtën çmimet kanë pësuar një rënie. Si domatja, patatja, qepa, të gjitha zarzavatet”-thotë një tjetër.

Rënia e çmimeve të produkteve bujqësore vjen pas një kohe relativisht të gjatë, ku në të gjithë tregjet e Kukësit çmimet kanë qënë shumë të larta për shkak të mungesës së prodhimit vendas si pasojë e prodhimit të ulët për shkak të kushteve jo të favorshme meterologjike.

Flutura Tota    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›