Hapet shkolla e parë ambientaliste
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa dhe ambasadori i SHBA-ve, Christopher Dell, kanë përuruar të enjten “Shkollën e Gjelbër” në rrugën “Çamëria”, në periferi të kryeqytetit.
Mustafa, duke falënderuar shtetin amerikan për ndihmën në ndërtimin e shkollës, tha se fëmijët e kësaj rrethine do të kenë kushte më të mira mësimi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës na ndihmuan që ne ta fitojmë lirinë dhe tash po na ndihmojnë që ne ta ndërtojmë lirinë dhe demokracinë, përmes arsimimit të mirë të fëmijëve tanë, përmes krijimit të kushteve normale dhe kushteve më të mira për punën e tyre”, theksoi Mustafa.
Ambasadori Dell, ndërkaq, u shpreh i gëzuar që shteti më i ri në Evropë po ndërton një shkollë ambientaliste.
Arsye se objekti mori emrin “Shkolla e Gjelbër” është materiali më të cilin është ndërtuar, e që ofron mundësi të larta për ruajtjen e energjisë. Shkolla ndriçohet nga jashtë, pasi ka hollin e hapur që mundëson ndriçimin, ndërsa ngrohet me energji solare. Objekti është ndërtuar kryesisht me material të ricikluar dhe ka kushtuar 1.5 milionë euro, bashkëfinancuar nga Komuna dhe USAID. Në të mësojnë rreth 400 nxënës.