Ndalim parkimi

Komuna e Prishtinës nuk pranon se ka vendosur të pengojë policinë në hetimin e nëpunësve të saj. Për këtë arsye, informatën e transmetuar në media zyrtarët e saj e quajnë dezinformatë. Sipas komunarëve, nuk ekziston asnjë vendim për ndalimin e zyrtarëve policorë në këtë institucion. Por, ata e pranojnë se ekziston një urdhëresë, nëpërmjet të cilës qartësohet se cilat vetura mund të parkohen në oborrin e Komunës.
Për këtë arsye, të enjten zyrtarë komunalë kanë deklaruar se ka ndodhur një keqkuptim lidhur me këtë çështje.
Ata tregojnë se qëllimi i ndalimit të automjeteve në oborrin e Komunës ka qenë vendosja e rendit dhe rregullit në oborrin e saj.
Sipas Zyrës për Informim të Komunës së Prishtinës, ekziston një urdhërese nëpërmjet së cilës qartësohet se cilat vetura mund të parkohen në oborrin e këtij institucioni.
“Kohëve të fundit kemi parë një parkim të automjeteve e të institucioneve të ndryshme dhe të policisë, zyrtarë të së cilës kanë ardhur në Komunë për punë të tyre private”, thuhet në sqarimin e Komunës. Por, pretendohet se nuk ekziston asnjë vendim për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve policorë në objekt.
“Në asnjë rast nëpërmjet kësaj urdhërese nuk kemi dashur të ndalojmë hyrjen e
policisë në objektin e Komunës”, thuhet në sqarim.
“Oborri i Komunës është i rezervuar për veturat e kryetarit, nënkryetarit dhe kryesuesit të Asamblesë dhe për parkimin e automjeteve të delegacioneve zyrtare që vijnë të takohen me kryetarin”, sqaron Komuna, duke qartësuar se për të gjitha automjetet tjera zyrtare, që nuk janë pjesë e delegacioneve zyrtare, është i ndaluar parkimi në oborr.
Njëjtë sikurse Komuna thonë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës. Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë, tregon për Express se ai nuk ka marrë ndonjë informacion që Komuna ka ndaluar hyrjen e veturave të Policisë në oborrin e saj.
Por, sipas tij, edhe po të ndodhte kjo, Komuna e ka një urdhëresë me të cilën ndalohet hyrja e automjeteve në oborrin e institucionit. “Ne kur kemi takime zyrtare për të cilat është i njoftuar kryetari i Komunës, apo edhe kur kemi ndonjë rast të veçantë, për ndonjë vizitë në komunë, normalisht që lejohet futja e makinave në oborr”, pohon Sadriu për Express.
Prandaj, ai thotë se informacioni i dhënë në media se Policisë i është ndaluar hyrja në oborrin e Komunës, nuk qëndron. Rreth lajmit se Komuna po pengon policinë të futet në komunë, ka reaguar edhe deputeti i PDK-së, Berat Buzhala. Ai të enjten, në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, ka ngritur shqetësimin për këtë çështje, duke kërkuar nga kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, të shpjegojë pengesën që po i bëhet Policisë në kryerjen e punës së saj.