E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër fshatit turistik në Rugovë

Nga Express më 13 maj 2011 në ora 10:22

Dhënia e lejes nga Komuna që në pronën e saj të ndërtohet fshati turistik në Kuqishtë të Rugovës, ka përplasur pushtetin dhe opozitën në Pejë.

Këshilltarët komunalë të partive opozitare që vijnë nga Rugova kanë akuzuar kryetarin Ali Berisha për lejimin e këtij ndërtimi, duke thënë se ai “çdo natë ha e pi” në hotelin e investitorit që ia ka vënë syrin Kuqishtës. Komuna e Pejës me mbivotim, pa votat e PDK-së dhe LDK-së, e “legalizoi të drejtën” për dhënie me koncesion të hapësirave në pronësi të saj, në sipërfaqe prej 9 hektarë e 39 ari, ku do të ndërtohet një fshat turistik në Kuqishtë.

Vesel Nikçi, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së, tha se për ndërtimin e fshatit nuk janë plotësuar kushtet ligjore, kurse shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Sali Lajçi, tha se për këtë gjë nuk është pyetur askush, madje as banorët e fshatit.
Kryetari Ali Berisha, ndërkaq, ka mbështetur vendimin e Komunës dhe ka thënë se vendimet e Asamblesë nuk u nënshtrohen presioneve nga askush.

“Ky vendim do të respektohet nga të gjitha instancat e pushtetit lokal”, është shprehur Berisha.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›