E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujësjellësi parashikon një depo pranë Teleferikut, banorët bllokojnë punimet

Banorët nuk janë lajmëruar për ndërtimin nga ujësjellësi   
Ndërtimi i një depoje uji në varësi të ujësjellësit të ri në qytetin e Vlorës ka dërguar mëngjesin e djeshëm mjete të rënda dhe disa uniforma blu në një kodër dominuese midis qytetit dhe Kaninës. Mirëpo ky punim është kundërshtuar nga pronarët e truallit, që dispononin dokumente të rregullta të pronësisë mbi truallin dhe më absurdja, nuk kishin marrë njoftim më parë për këtë ndërtim. Ndërkohë që menjëherë është bërë kallëzim penal për rastin në fjalë, pronarët e truallit nuk kanë lejuar vazhdimin e punimeve ndërkohë që edhe forcat e rendit nuk kanë ndërhyrë forcërisht për vazhdimin e tyre. Edhe vetë përfaqësuesit holandezë të firmës së ndërtimit të ujësjellësit të qytetit të Vlorës janë shprehur shumë të habitur me këtë faktin se si mund të bëhet ndërtimi në një vend kur nuk është rënë dakord më parë me pronarët realë të truallit.  
Ngjarja   
Mëngjesin e djeshëm, disa mjete të rënda të ndërmarrjes së ujësjellësit të qytetit të Vlorës, shoqëruar nga disa uniforma blu të komisariatit të policisë dhe po ashtu përfaqësues shqiptarë dhe holandezë të ndërtimit të këtij ujësjellësi kanë shkuar në një kodër dominuese mbi qytetin e Vlorës, midis këtij qyteti dhe fshatit Kaninë, tek vendi i quajtur Teleferiku, dhe kanë dashur të fillojnë punimet për ndërtimin e një depo uji për llogari të ujësjellësit të ri të qytetit, një investim prej 26 milionë eurosh të qeverisë holandeze. Mirëpo sapo janë njoftuar për këtë fillim punimesh, një grup banorësh që zotërojnë dokumente hipoteke për pronësi në këtë vend janë mbledhur menjëherë dhe kanë kundërshtuar fillimin e këtyre punimeve. Ata jo vetëm kanë paraqitur dokumente për zotërimin e këtij trualli por edhe kanë bërë me dije të ardhurit për fillimin e punimeve se kanë hapur një proces gjyqësor për këtë problem dhe janë në pritje të fillimit të këtij procesi. E gjitha kjo ka bërë që të mos fillojnë punimet por pas bisedave të shumta telefonike midis të ardhurve dhe drejtuesve të tyre, mjetet dhe uniformat blu të rrinë për orë të tëra në pritje të urdhrave nga lart që nuk erdhën asnjëherë për fillimin e punimeve. Në këto kushte është bërë largimi i mjeteve, por sipas përfaqësuesve të ujësjellësit kjo po bëhet përkohësisht sepse punimet do të fillojnë në një kohë tjetër. Edhe pronarët nuk janë shprehur kundër ndërtimit por kanë kërkuar rregulla të sakta loje dhe atyre tu plotësohen kërkesat e shpronësimit të tokës.
Pronarët dhe përfaqësuesit e ujësjellësit   
Pronarët e truallit në vendin ku do të ndërtohet depoja e ujit tregojnë dokumentet e sakta që kanë në dy linja, atë të trashëgimisë dhe të marrjes së tokës në bazë të ligjit 7501. "Tek prona jonë ka ndodhur ajo që rrallë ka ndodhur në vendin tonë. Ne kemi dy certifikata që janë të njëjta, ajo e marrjes së tokës në përdorim nga ligji 7501 dhe ajo e trashëgimisë së truallit nga të parët tanë. Rrallë ndodh një mbivendosje e tillë, por edhe kjo nuk po vlerësohet siç duhet. Duan të na e marrin tokën sikur nuk është e jona. Ne nuk jemi kundër ndërtimit, sepse ai i shërben një komunitetit të tërë, por kjo të bëhet sipas rregullave. Duam edhe ne dëmshpërblimin që na takon sipas ligjit. Ne nuk do të lejojmë të bëhet tek ne si në Jalë", shprehet Muharrem J., njëri prej tyre. Ndërkohë që përfaqësuesit shqiptarë të ujësjellësit me dy fjalë theksojnë se kanë ardhur të zbatojnë urdhrin për fillimin e punimeve. Ndërsa përfaqësuesit holandezë të ujësjellësit të ri habiten me çfarë po ndodh. J. Van de Vor thekson se ai vërtetë ka ardhur të fillojë punimet, por është njoftuar se rruga është e lirë dhe se është zgjidhur çdo gjë midis ujësjellësit dhe banorëve dhe kur merr vesh të kundërtën habitet dhe thekson se vetëm me popullin ai nuk do konfrontime.

Last Updated on Tuesday, 03 March 2009 23:13

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›