E Diel, 1 Nëntor 2026

“Namik-politika, fytyra e vetme e “politikës së re” të Edvinit

Ish-kryeministri Ilir Meta akuzon Edi Ramën se bën “politikë të re” me përgjegjësit e tragjedisë së 9 janarit 2004

“Si nuk të vjen turp Namik Dokles që nuk ke ardhur ti takosh këta njerëz se po bënë 6 vjet që ka ndodhur kjo tragjedi, që nuk i ke ardhur për ngushëllim këtyre njerëzve. Zoti Dokle që nuk bëri asgjë atë natë kur e mori vesh e gjithë Shqipëri që gomonet ishin në det, por edhe sot pas gjashtë vjetësh nuk ke kurajën që të takosh dhe të bëhet zbardhja e kësaj tragjedie. Ndaj Dokle të ketë kurajë të paktën të largohet nga politika sepse kjo që po ndodh në Shqipëri është e tmerrshme. Politika e re tha Meta, nuk është që të vrasësh njerëz, apo edhe t’i futësh ata në grevë urie vetëm se kërkojnë drejtësi”

TIRANE - Politika e re e Edi Ramës përfaqësohet nga njerëz mbi të cilën rëndon akuza për vdekjen e 28 qytetarëve shqiptarë në 9 janar të vitit 2004. Ka qenë ky reagimi i
ashpër që kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka bërë dje ndaj
akuzave të deputetit socialist Namik Dokle mbi rolin sipas tij, përçarës dhe mllefin pa shkak që LSI po hedh këto muaj në drejtim të selisë rozë.
I shoqëruar nga nënkryetari Sokol Axhemi, Meta vizitoi dje ambientet ku zhvillohet greva e urisë nga familjaret e personave te zhdukur në tragjedinë e 9 janarit 2004  që kërkojnë zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie, dhe gjetjen e trupave te fëmijëve te tyre te zhdukur.
Duke i shprehur solidaritet të plotë familjarëve të ngujuar, duke thënë se “këta njerëz nuk duhet të vdesin, por ata kërkojnë drejtësi, për zbardhjen e kësaj tragjedie”.
Pas shprehjes së solidaritetit, Meta ka akuzuar ish-numrin dy të qeverisë Nano në kohën e ngjarjes së rëndë pesë viteve më parë.
“Sot nëpërmjet medias jam informuar që Kryeministri i asaj nate Namik Dokle, se tjetri nuk ishte në Shqipëri, flet për fitoren e politikës së re më 28 qershor dhe nuk vjen këtu për t’ju vizituar ju. Ndaj unë do ti them atij, si nuk vjen turp që nuk ke ardhur ti takosh këta njerëz se po bënë 6 vjet që ka ndodhur kjo tragjedi, që nuk i ke ardhur për ngushëllim këtyre njerëzve. Zoti Dokle që nuk bëri asgjë atë natë kur e mori vesh e gjithë Shqipëri që gomonet ishin në det, por edhe sot pas gjashtë vjetësh nuk ke kurajën që të takosh dhe të bëhet zbardhja e kësaj tragjedie. Ndaj Dokle të ketë kurajë të paktën të largohet nga politika sepse kjo që po ndodh në Shqipëri është e tmerrshme. Politika e re tha Meta, nuk është që të vrasësh njerëz, apo edhe t’i futësh ata në grevë urie vetëm se kërkojnë drejtësi”, deklaroi Meta.
“Këta njerëz, theksoi kreu i LSI-së, duhet të kenë moral që të ikin nga politika në mënyrë vullnetare, sepse nëse nuk e kanë këtë moral do t’i heqin shqiptarët me votë demokratike më 28 qershor”, tha ai.
Kritika Ilir Meta ka pasur dje edhe ndaj Presidentit të Republikës Bamir Topi që sipas tij nuk denjon që të shkojë për ti takuar grevistët. Ndërkaq meta ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme rihapjen e dosjes së “tragjedisë së 9 janarit”, duke nxjerrë para ligjit përgjegjësit e vërtetë.
Në rast të mosreagimit ndaj kësaj kërkese, Meta paralajmëroi se LSI do të fillojë një varg protestash në mbarë vendin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›