Basha: Shqiptarët, pa viza në BE brenda vitit të parë të qeverisë “Berisha 2”

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha ka dhënë garanci për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në të gjitha vendet e zonës Shengen në fillim të mandatit të dytë të qeverisë “Berisha”. Finalizimi i heqjes së vizave mes Shqipërisë dhe BE-së do të ndodhë me negociata të forta në gjashtëmujorin e parë të mandatit të dytë të qeverisjes së djathtë, ndërkohë që në gjashtëmujorin e dytë, shqiptarët nuk do të kenë më nevojë për viza
Leonard Quku
TIRANE - Shefi i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha konfirmon se brenda 12 muajve të parë të mandatit të dytë të kësaj qeverisje, shqiptarët do të lëvizin të lirë vetëm me pasaportë brenda zonës “Shengen”.
Gjatë emisionit “Opionin” në TV Klan, ministri Basha shprehu optimizmin e tij se finalizimi i heqjes së vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian do të ndodhë me negociata të forta në gjashtëmujorin e parë të mandatit të dytë të qeverisjes sëë djathtë dhe në gjashtëmujorin e dytë qytetarët shqiptarë nuk do të kenë më nevojë për vizë për të shkuar në hapësirën e vendeve të zonës “Shengen”.
“Gjatë 6-mujorit të parë të mandatit tonë të dytë, është momenti politik, kurse gjatë 12-mujorit të parë të mandatit tonë do të lëvizim pa viza”, u shpreh ministri Basha.
Në këtë kuadër ministri Basha vlerësoi se qeveria shqiptare ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga BE-ja për çështjen e liberalizimit të vizave, duke nënvizuar se Këshilli i Ministrave të BE-së brenda gjashtëmujorit do t’i paraqesë BE-së ecurinë që ka ndjekur Shqipëria në këtë proces, duke e konsideruar atë si momentin politik për heqjen e vizave.
Gjithashtu, aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian ka qenë një temë e rëndësishme për të cilën ministri Basha u ndal gjerësisht. Ashtu siç konfirmoi vet kryeministri Berisha dy ditë më parë edhe ministri Basha shprehu sigurinë e plotë se aplikimi do të bëhet brenda presidencës çeke.
Duke nënvizuar arsyet se pse Shqipëria kërkon domosdoshmërish bërjen e kërkesës brenda këtij gjashtëmujori, Basha theksoi meritat e qeverisë së vendit, në kuadër të realizimit të një sërë reformash e marrëveshjesh që rrjedhin si detyrime nga Bashkimi Evropian. Basha ka shprehur qartë qëndrimin e qeverisë shqiptare që Shqipëria do të konkretizojë shumë shpejt kërkesën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
“Ne do të aplikojmë brenda presidencës çeke. Natyrisht ka të bëjë me rrethana jashtësore që lidhen me krizën globale që nuk ka të bëjë me Shqipërinë. Kemi mbështetjen e vendeve të BE-së në këtë proces dhe nuk jemi aspak të vonuar për paraqitjen e kërkesës për statusin kandidat”, tha ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha.
Ndërsa më tej vlerësoi se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në BE, Basha vuri në dukje se dy nga këto detyrime të rëndësishme kanë qenë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë të veçantë.
“Vetëm një rrëshqitje nga kjo rrugë, mund të cenonte procesin integrues”, është shprehur shefi i diplomacisë shqiptare.
Gjithashtu ministri Basha sqaroi të gjitha hapat që do të ndiqen pas kërkesës për statusin e vendit kandidat, duke përmendur dhe një pyetësor nga KE-ja prej 40 mijë pyetjesh të cilave duhet t’u përgjigjet Shqipëria para se të arrijë në stacionin e fundit të integrimit.
“Nxitimi për aplikim brenda këtij 6-mujori, nuk ka qëllime elektorale, por qëllime strategjike për Shqipërinë. Një portë e hapur, s’ka nevojë të trokitet. Kemi akord me presidencën çeke, kemi mirëkuptim nga Komisioni Evropian, ndaj gjykojmë se janë pjekur të gjitha kushtet për aplikim. Presidenca çeke po pret që ne të aplikojmë për vendin kandidat”, theksoi ndër të tjera ministri Basha.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishin një tjetër temë në të cilin u fokusua ministri Basha, të cilat i cilësoi si të shkëlqyera, duke parë edhe takimet e fundit të zhvilluara mes zyrtarëve shqiptarë dhe atyre në Bruksel e Uashington.
Gjithashtu pjesë e bisedës, ishin dhe zhvillimet në Kosovë, ku për herë të parë kreu i diplomacisë shqiptare tha se Shqipëria ka dërguar emisarë të posaçëm nëpër botë për të lobuar “pro” njohjes së pavarësisë së shtetit të ri ballkanik.